Zëvendëspresidenti amerikan J.D. Vance minimizoi përshkallëzimin e fundit me Iranin, duke thënë se ngjarjet nuk duhet të cilësohen si “luftë”, edhe pse pranoi se nuk dihet kur do të përfundojnë armiqësitë. Gjatë një konference në Shtëpinë e Bardhë, Vance deklaroi se “operacionet aktive luftarake” kanë përfunduar dhe se aktualisht nuk po zhvillohen luftime të vazhdueshme.
Deklaratat e tij erdhën ndërsa SHBA dhe Irani kanë shkëmbyer zjarr gjatë ditëve të fundit, dhe forcat amerikane kanë kryer sulme pranë Ngushticës së Hormuzit. Pentagoni njoftoi se që nga nisja e konfliktit në fund të shkurtit janë vrarë 18 ushtarakë amerikanë dhe janë plagosur rreth 790 të tjerë. Vance tha se nuk mund të jepte një afat për përfundimin e konfliktit dhe nuk u përgjigj nëse ai do të mbyllet përpara zgjedhjeve të mesit të mandatit, më 3 nëntor: “Kur do të përfundojë kjo? Nuk e di. Duhet t’ua pyesni iranianëve,” citohet të ketë thënë.
Sipas zëvendëspresidentit, aktualisht nuk ka negociata me Teheranin. Ai nënvizoi se SHBA-ja nuk do të rikthehet në bisedime nëse Irani nuk ndalon sulmet ndaj anijeve tregtare në Ngushticën e Hormuzit. Ndërkohë, Ushtria amerikane vazhdon operacionet pranë Hormuzit, ndërsa shqetësimet mbi sigurinë e transportit të naftës dhe gazit mbeten të larta.
Konflikti ka pasur gjithashtu ndikim në tregun e karburanteve. I pyetur se kur çmimi i benzinës mund të rikthehet në 3 dollarë, Vance u përgjigj se nuk mund të japë një premtim për këtë. Ai pranoi pasiguri lidhur me kohën kur çmimet mund të ulen, pa dhënë afate konkrete.
Vance mbrojti edhe Sekretarin e Mbrojtjes, Pete Hegseth, përballë kritikave dhe largimeve të disa zyrtarëve të lartë nga Pentagoni. Ai nuk dha detaje shtesë për ndryshimet e stafit, por mbetet në qëndrimin se struktura ndërkombëtare e përgjigjes së SHBA-së duhet të vazhdojë aktivitetet e planifikuara në zonë.

