Një hetim i gjerë i drejtësisë franceze zbuloi një plan kriminal të një grupi të organizuar që kishte listuar 26 figura publike si shënjestër për rrëmbime. Mes emrave të përfshirë ishin repere, biznesmenë dhe futbollistë; në krye të listës, si një “shënjestër e pasur”, renditej ylli i Real Madridit, Kylian Mbappe. Gjatë kontrollimeve, autoritetet ranë në gjurmët e një liste konfidenciale që përfshinte adresat e sakta të vendbanimit të 26 personave me ndikim, ndërsa banda kishte bërë profilizimin e secilit prej tyre.
Sipas hetuesve, grupi e konsideronte Mbappen objektivin kryesor dhe e vlerësonte se ai do të sillte përfitime financiare më të mëdha në rast ekzekutimi të një rrëmbimi. Veprimtaria e rrjetit, sipas hetimeve, zhvillohej brenda një periudhe të përcaktuar: nga 11 prilli deri më 19 gusht. Gjatë këtij harku kohor, anëtarët e bandës kryen dhe përgatitën disa veprime operative në zona përreth Parisit dhe në rajonin e Burgonjës, duke mbajtur nën vëzhgim persona të zgjedhur dhe duke zhvilluar shërbime monitorimi ndaj tyre.
Autoritetet kanë identifikuar një person si kreun e këtyre operacioneve, i cili është arrestuar. I dyshuari kryesor, i emëruar në dokumente si Klemen L. (Clément L.), është lënë në arrest me burg dhe është vendosur në izolim të plotë. Prokuroria pranë Gjykatës së Apelit në Versajë kërkoi vazhdimin e masës së arrestit, duke argumentuar se i riu ka precedentë të rëndë penalë dhe paraqet rrezikshmëri të lartë shoqërore. Një bashkëpunëtor i tij po hetohet në gjendje të lirë, por nën masën e mbikëqyrjes gjyqësore.
Hetimet vazhdojnë me intensitet për të zbuluar strukturën e plotë të rrjetit dhe për të përcaktuar saktësisht se sa larg kishin shkuar përgatitjet logjistike lidhur me rrëmbimin e Mbappes dhe të figurave të tjera të njohura. Autoritetet po përpiqen të dokumentojnë veprimet operative dhe lidhjet mes të dyshuarve për të hetuar përgjegjësitë dhe përmasën e rrezikut ndaj personave të përfshirë.

