Pas interesimit të Top Channel, Ministria e Financave reagoi për kërkesën e zhbllokimit të pagave të magjistratëve dhe personelit të sistemit të drejtësisë, duke sqaruar se pagat nuk janë bllokuar, por Këshilli i Lartë Gjyqësor (KLGJ) dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP) kanë dorëzuar listëpagesat e gushtit mbi një metodologji të ndryshme nga ajo në fuqi. Ministri i Financave, Petrit Malaj, i kërkoi me letër KLGJ dhe KLP që të paraqesin sërish listëpagesat dhe urdhërshpenzimet e gushtit sipas metodologjisë së përdorur deri në korrik, pasi ndryshimet e reja në pagat e magjistratëve nuk janë miratuar ende nga Kuvendi i Shqipërisë.
Malaj thekson se vendimi nr. 15, datë 17.02.2026, i Gjykatës Kushtetuese është përfundimtar dhe detyrues, por zbatimi i tij kërkon ndryshime ligjore që duhet të miratohen nga Parlamenti. Ai sqaron se Ministria e Financave nuk mund të zëvendësojë Kuvendin në funksionin normativ, të përcaktojë përmes procedurave të ekzekutimit buxhetor formulën konkrete të pagave, apo të ekzekutojë urdhëra të autoriteteve të pushtetit gjyqësor që nuk kanë autoritetin parlamentar për miratimin e ndryshimeve në buxhet.
Ministria kërkon që listëpagesat e gushtit të paraqiten pa vonesë sipas parametrave të përdorur në korrik, në mënyrë që strukturat e Thesarit t’i procedojnë dhe të kryhen pagesat me përparësi sapo të disponojnë dokumentacionin në përputhje me parametrat ekzistues. Ministria deklaron gjithashtu për Top Channel se, nëse Kuvendi miraton ndryshimet e kërkuara, institucioni do të marrë menjëherë masat për zbatimin e tyre të plotë.
Rikujtohet se më 26 gusht KLGJ dhe më 28 gusht KLP përcaktuan vetë pagën referencë të gjyqtarëve dhe prokurorëve, duke vendosur një rritje të konsiderueshme, me argumentin se Kuvendi nuk kishte miratuar një formulë të re brenda afatit 31 korrik, siç ishte i detyruar nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese.

