Autoritetet gjermane njoftuan alarm pas dy sulmeve të dyshuara ndaj infrastrukturës energjetike, të regjistruara brenda 24 orësh në pjesë të ndryshme të vendit. Në landin Brandenburg, policia ka hapur hetim për krijimin e mundshëm të një organizate terroriste, pasi disa predha artizanale u përdorën për të dëmtuar linjat e tensionit të lartë pranë një termocentrali. Hetimet paraprake tregojnë se autorët kishin vendosur më shumë se 12 mjete të ngjashme me raketat, të pajisura me ngarkesa shtytëse, poshtë linjave elektrike. Vetëm njëra prej tyre arriti objektivin, duke sjellë një kabllo në kontakt me linjën e tensionit shumë të lartë dhe duke krijuar lidhje me tokën, çka shkaktoi një ndërprerje të shkurtër të energjisë.
Ministri i Brendshëm i Brandenburgut, Jan Redmann, deklaroi se vendi pati fat që shumica e predhave nuk arritën të godisnin objektivin. Ai shtoi se ndërtimi dhe instalimi i këtyre mjeteve kërkonte njohuri të konsiderueshme teknike dhe se dyshohet autorët kanë punuar për disa ditë në zonë. Një incident tjetër u regjistrua në nënstacionin elektrik të kompanisë Amprion në Bergheim, pranë Këlnit, ku policia u njoftua pasi banorët raportuan shkëndija të forta gjatë natës. Aty u shfaq një qark i shkurtër që preku disa linja, por furnizimi me energji për qytetarët nuk u ndërpre.
Hetuesit po verifikojnë nëse sulmi është organizuar nga jashtë Gjermanisë apo lidhet me qarqe ekstremiste të majta. Për të dy incidentet nuk janë identifikuar ende të dyshuar. Ngjarjet po hetohen, ndër të tjera, si sabotim i mundshëm; ministri i Brendshëm i landit të Renanisë Veriore-Vestfalisë e ka përmendur ngjarjen paraprakisht si “sabotim antikushtetues”. Sulmet vijnë ndërsa Berlini po përballet me shqetësime në rritje për sabotime dhe veprime hibride ndaj infrastrukturës strategjike të vendit. Hetimet janë në vazhdim ndërsa autoritetet po mbledhin prova dhe po kërkojnë të sqarojnë motivet dhe autorët e mundshëm.

