Qytetarët shqiptarë përballen çdo ditë me rritjen e kostove të jetesës. Qeveria po ndërton një platformë monitorimi dhe krahasimi të çmimeve për produkte si vaji, makaronat, orizi, mielli, frutat, perimet dhe detergjentët. Pyetja mbetet nëse për qytetarin shqiptar mjafton vetëm transparenca apo janë të nevojshme edhe masa konkrete.
Në Evropë dhe në botë, në kushtet e inflacionit që shpesh tejkalon objektivat e qeverive, disa shtete kanë ndërhyrë me kufizime dhe subvencione, duke përfshirë ulje TVSH për produktet ushqimore dhe vendosje të tavaneve çmimesh për artikuj të caktuar. Si shembull konkret, Greqia ndikoi në uljen e çmimeve për më shumë se 1,600 produkte bazë konsumi, me reduktime që varionin nga 5–7% deri në rreth 30% në disa raste.
Në Shqipëri, çmimet janë rritur ndjeshëm, një realitet i reflektuar edhe në inflacionin e korrikut, që ishte 3.4%, ku ushqimet përbënin pothuajse gjysmën e tij. Qeveria synon të identifikojë hallkat në zinxhirin e furnizimit ku çmimet shumëfishohen dhe të verifikojë nëse krijohen marzhe të pajustifikuara.
Ekspertët e tregut kërkojnë marrje të masave më të drejtpërdrejta, ndërsa Ministrja e Ekonomisë deklaroi për Top Channel se shteti nuk është i informuar në vazhdimësi për të gjitha çmimet e produkteve, prandaj duhen studime më të thelluara. Sipas ministres, deri në përfundimin e tyre qytetarët mund të vazhdojnë të paguajnë më shtrenjtë.
INSTAT, në raportin e tregtisë së jashtme, njofton se një në tre produkte është i importuar. Ekspertët e tregut vlerësojnë se kjo situatë duhet të përkthehet në çmime më të ulëta për konsumatorët si pasojë e zhvlerësimit të euros, që i ka favorizuar importuesit kohët e fundit.
Me vendimin më të fundit, qeveria nuk garanton nëse çmimet do të bien apo do të rriten, por premton informacion 360 gradë për arsyet e rritjes së tyre dhe njofton se do të ushtrojë presion përmes kontrolleve.

