Një shtetas shqiptar 57-vjeçar është arrestuar në Abu Dhabi, nën akuzat për trafikim lëndësh narkotike dhe pjesëmarrje në një grup të strukturuar kriminal. Ai ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pas vendimit të Gjykatës së Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, që në prill 2026 i caktoi masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprat penale: “Trafikimi i narkotikëve”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.
Arrestimi u realizua në kuadër të një faze të operacionit ndërkombëtar të koduar “The Wanted”, pas bashkëpunimit të ngushtë mes specialistëve të Drejtorisë së Interpolit në Tiranë dhe homologëve të Interpol Abu Dhabit. Si pasojë e këtij bashkëpunimi, shtetasi i identifikuar me inicialet N. D., 57 vjeç, u arrestua provizorisht me qëllim ekstradimin drejt Shqipërisë.
Hetimet, sipas njoftimeve zyrtare të policisë, dyshojnë se 57-vjeçari ka vepruar brenda një grupi të strukturuar kriminal, ku ka bashkëfinancuar, mundësuar dhe koordinuar trafikimin e lëndëve narkotike nga Amerika Latine drejt vendeve të Bashkimit Evropian. Po ashtu, akuzohet se ka përdorur metoda financiare të sofistikuara, përfshirë transferta digjitale, për kryerjen e pagesave të konsiderueshme në disa shtete që shërbyen për blerjen e lëndëve narkotike.
Policia njofton se arrestimi në Abu Dhabi është pjesë e fazave të ndërmjetme të operacionit ndërkombëtar dhe se momentalisht vijon bashkëpunimi midis Interpol Tiranës dhe Interpol Abu Dhabit për finalizimin e procedurave ligjore lidhur me ekstradimin e 57-vjeçarit drejt Shqipërisë. Hetimet dhe procedurat e mëtejshme do të përcaktojnë zhvillimet e rastit në vijim.

