Sipas të dhënave paraprake të Zyrës Federale të Statistikave, çmimet e konsumit në Gjermani u rritën me 2.9% në gusht krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, nga 2.8% në korrik. Inflacioni bazë, që përjashton ushqimet dhe energjinë, u rrit me 2.4%. Një nga faktorët kryesorë pas këtij rritjeje janë kostot e energjisë.
Tensionet dhe ndërprerjet në rrugët ndërkombëtare të transportit kanë ndikuar në rritjen e çmimit të naftës, duke prekur drejtpërdrejt konsumatorët në Gjermani. Ekonomistë paralajmërojnë se edhe nëse transporti i naftës përmes Ngushticës së Hormuzit rikthehet në normalitet dhe çmimet e energjisë ulen, inflacioni mund të mbetet për një periudhë mbi objektivin prej 2% të Bankës Qendrore Evropiane. Sipas Jörg Krämer, ekonomisti kryesor i Commerzbank, shumë kompani po i transferojnë te klientët rritjet e kostove të energjisë që kanë përjetuar kohët e fundit, dhe presionet mbi çmimet janë të dukshme veçanërisht në pikat e karburantit.
Sipas llogaritjeve të ADAC, një litër benzinë Super E10 kushton mesatarisht 2,153 euro, vetëm rreth pesë cent më pak se rekordi i regjistruar në mars 2022. Një litër naftë kushton mesatarisht 2,202 euro. Rekordi i çmimit u shënua në prill të këtij viti, kur çmimi arriti në 2,446 euro për litër.
Në rritjen e çmimeve të karburanteve po ndikon edhe niveli shumë i ulët i ujit në lumin Rin. Kushtet e vështira po pengojnë transportin lumor, përmes të cilit furnizohen edhe rafineritë, veçanërisht në landin Nordrhein-Westfalen. Rin është një nga arteriet më të rëndësishme të transportit të brendshëm në Evropë, dhe kufizimet në lundrim po rritin kostot e furnizimit, duke ushtruar presion të mëtejshëm mbi çmimet.

