Allison Guerriero, ish-e dashura e ish-zyrtarit të lartë të FBI-së Charles McGonigal, u gjend e vdekur papritur në banesën e saj në Boynton Beach, Florida. Guerriero, e cila kishte pasur një marrëdhënie 18-mujore me McGonigal, u bë e njohur publikisht për akuzat dhe denoncimet ndaj tij; McGonigal po vuan një dënim prej 6 vjet e 6 muajsh burg. Vetëm disa orë para vdekjes, ajo publikoi dhjetëra postime në platformën X, ku kritikoi FBI-në dhe në një video deklaroi: “E urrej FBI-në.” Në një tjetër video, ajo kërkoi që vëmendja të shtrihej edhe te persona të tjerë brenda agjencisë, duke thënë se emra të njohur ishin vetëm një pjesë e asaj që duhej hetuar.
Sipas të atit të saj, Bill Guerriero, shkaku i vdekjes nuk është përcaktuar ende dhe familja pret raportin e autopsisë. Ai deklaroi që mund të ketë qenë një aksident ose rënie, por nuk dha një shkak të konfirmuar. Policia e Boynton Beach njoftoi se efektivët mbërritën rreth orës 20:03 të së enjtes dhe se “nuk duket të ketë shenja të ndërhyrjes kriminale”; hetimi vazhdon dhe autoritetet presin rezultatet e mjekësisë ligjore.
Guerriero kishte qenë prej vitesh zë dhe burim dyshimesh për aktivitetet e McGonigal. Ajo pretendonte se gjatë lidhjes kishte zbuluar elemente që e bënin të dyshonte se ish-agjenti ishte përfshirë në veprimtari të paligjshme. Sipas rrëfimeve të saj, në vitin 2017 McGonigal kishte marrë 80 mijë dollarë nga një ish-zyrtar shqiptar i inteligjencës; më vonë ajo tha se kishte gjetur në apartament një shumë prej 80 mijë dollarësh, që e lidhte me ato që i quante “flash rolls”, para për informatorë ose agjentë në mbulim. Kur e pyeti McGonigal, ai i kishte thënë se i kishte fituar duke vënë baste për një ndeshje bejsbolli. Marrëdhënia e tyre përfundoi në 2018, pasi Guerriero mësoi se McGonigal nuk kishte ndërmend të divorcohej nga bashkëshortja.
Pas ndarjes, ajo deklaroi se kontaktoi ish-eprorë dhe zyrtarë të FBI-së për të shprehur dyshimet e saj, por sipas saj paralajmërimet nuk u morën seriozisht. McGonigal, ish-drejtues i kundërzbulimit të FBI-së në New York, u arrestua në janar 2023 dhe u dënua më pas për çështje që lidhen me marrjen e parave dhe marrëdhëniet me oligarkun rus Oleg Deripaska. Vdekja e Guerriero mbetet nën hetim; deri tani autoritetet nuk kanë bërë të ditur një shkak zyrtar.

