Presidenti rus Vladimir Putin deklaroi se Rusia po ndjek rrugën që do të çojë drejt përfundimit të konfliktit në Ukrainë, gjatë një takimi me kryeministrin indian Narendra Modi në margjinat e samitit të Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait. Temë e takimit u bë vetë konflikti në Ukrainë, që Modi nxori në diskutim duke theksuar se ai duhet të zgjidhet në mënyrë paqësore dhe se Moska duhet të ndërmarrë hapa aktivë për këtë qëllim.
Si përgjigje ndaj kërkesës së kryeministrit indian, Putin e siguroi Modin se Rusia tashmë po punon për të shkuar në atë drejtim, duke thënë: “Faleminderit shumë, i dashur kryeministër. Ne tashmë po ndjekim këtë rrugë.” Presidenti rus, megjithatë, nuk ofroi detaje të mëtejshme lidhur me kuptimin konkret të deklaratës së tij dhe nuk përmendi hapa të saktë që mund të ndërmerren për të dhënë fund luftës.
Modi propozi që çështja të rifutet në diskutim gjatë takimeve të ardhshme ndërkombëtare, duke nënvizuar nevojën e vazhdimit të dialogut midis dy liderëve. Sipas kryeministrit indian, një mundësi tjetër për të diskutuar këto çështje është samiti i BRICS, i cili pritet të zhvillohet muajin e ardhshëm në Nju Delhi, ku, sipas tij, mund të rikthehen bisedimet mbi mënyrat e zgjidhjes së konfliktit.
Deklaratat e Putinit vijnë në një kohë kur përpjekjet diplomatike për gjetjen e një zgjidhjeje për konfliktin Rusi-Ukrainë mbeten në qendër të vëmendjes ndërkombëtare. Nga takimi nuk dolën detaje operative apo plan veprimi konkrete, ndërsa palët ranë dakord për rëndësinë e vazhdimit të bisedimeve në kuadër të platformave ndërkombëtare.

