Anis Mehmeti mund të mbetet te Ipswich Town, pavarësisht interesimit të disa klubeve të Championship-it për shërbimet e tij. Trajneri i Ipswich, Gary O’Neil, komentoi situatën e sulmuesit pas humbjes 5-2 ndaj Manchester United, duke lënë të kuptohet se Mehmeti është ende pjesë e planeve për sezonin e ri.
Sulmuesi është lidhur së fundmi me Wrexham dhe Birmingham City, por raportimet bëjnë me dije se ai nuk dëshiron të vazhdojë karrierën në Championship. Sipas gazetarit Ben Jacobs, Mehmeti ka refuzuar ofertën e Wrexham, megjithëse ky klub uellsian kishte arritur marrëveshje me Ipswich Town për transferimin e tij. Wrexham kishte marrëveshjen me klubin, por lojtari nuk ka dhënë miratimin përfundimtar.
O’Neil u shpreh qartë se dera e Ipswich është e hapur për Mehmetin: “Të gjithë lojtarët e këtij klubi janë të mirëpritur të qëndrojnë”. Trajneri e përshkroi 24-vjeçarin me fjalë pozitive: “Anis është një djalë i shkëlqyer. Ai punon shumë dhe ka cilësi. Pra, nuk ka asgjë konkrete nga ana ime për Anisin apo për ndonjë lojtar tjetër”. Ai theksoi gjithashtu se, nëse Mehmeti vendos të qëndrojë, do të ketë mundësinë të tregojë vlerat e tij: “Nëse qëndrojnë në klub, ne do t’i përdorim dhe do të nxjerrim më të mirën prej tyre. E njëjta gjë vlen edhe për Anisin”.
Për momentin, e ardhmja e Mehmetit mbetet e hapur. Raportet mbi interesimin e klubeve të tjera dhe refuzimin e ofertës së Wrexham tregojnë se lojtari po kërkon një destinacion që i përmbush ambiciet personale, ndërsa Ipswich Town shfaqet si një alternativë reale nëse ai nuk gjen ofertë tjetër të përshtatshme.

