Bradley Barcola është zyrtarisht lojtari më i ri i Liverpoolit. Pas disa javësh negociatash, largimi i francezit nga Paris Saint-Germain është bërë realitet dhe ai tashmë ka zbarkuar në Anfield për të nisur një kapitull të ri në karrierën e tij. Sipas raportimeve nga Anglia, Liverpooli do të paguajë 125 milionë euro plus 20 milionë euro të tjera në formën e bonuseve për sulmuesin francez 23-vjeçar, duke e bërë transferimin operacionin më të shtrenjtë të kësaj merkatoje verore.
“Është një krenari e madhe të luaj për Liverpoolin. Jam shumë i lumtur”, deklaroi Barcola në kanalet zyrtare të klubit, ndërsa shtoi: “Kur mësova për interesimin e Liverpoolit për mua, nuk bëra pyetje. E dija se ishte një klub shumë i rëndësishëm për mua”. Sulmuesi ka firmosur një kontratë afatgjatë me “The Reds”.
Barcola kishte vendosur të mos rinovonte kontratën me PSG-në, pavarësisht se marrëveshja e tij skadonte në vitin 2028. Për këtë arsye, kampionët e Francës i hapën dyert për largimin, ndërsa lojtari kishte dhënë prej muajsh “OK”-in e tij për transferimin në Premier League. Ky përforcim është pjesë e politikës së Liverpoolit për investime të mëdha në merkato; më parë klubi anglez kishte shpenzuar 145 milionë euro për Alexander Isakun dhe 125 milionë euro për Florian Ëirtz. Barcola bëhet një tjetër afrim i rëndësishëm për projektin e drejtuar nga trajneri Andoni Iraola, ndërsa verën e kësaj skuadre e ka përforcuar edhe me Víctor Muñoz.
Tashmë pritet të shihet çfarë do të ndodhë me Cody Gakpo, i cili raportohet se është në radarët e Tottenhamit dhe Manchester Cityt.
PSG-ja kishte paguar 45 milionë euro për ta transferuar Barcolën nga Olympique Lyon në vitin 2023; vetëm tre vite më vonë klubi parisien arkëton një shumë shumë më të madhe nga shitja e tij, që përbën gjithashtu një rekord për një largim nga Ligue 1. Gjatë tri sezoneve me PSG-në, Barcola zhvilloi 152 ndeshje, duke shënuar 39 gola dhe dhënë 35 asistime. Në këtë periudhë ai fitoi dy trofe të Champions League dhe 13 trofe me klubin parisien. Sfida e radhës për Barcolën është Premier League, ku do të synojë të bëhet një prej yjeve kryesorë të Liverpoolit.

