Këshilltarja bashkiake e Partisë Demokratike, Ilda Zhulali, i ka kërkuar kryetares së Këshillit Bashkiak të Tiranës sqarime zyrtare lidhur me drejtimin e bashkisë pas raportimeve për shkarkimin e dytë të Anuela Ristanit. Ajo kërkon që të publikohet shkresa e shkarkimit, të përcaktohet kush drejton aktualisht bashkinë dhe kush ka autoritetin për të firmosur kontrata, marrëveshje financiare dhe akte administrative. Po ashtu kërkon sqarim nëse firma e Erion Veliajt, i cili përmendet si aktualisht në gjendje paraburgimi, njihet ende si vullnet legjitim vendimmarrës.
Në kërkesën drejtuar kryetares Zhulali shtjellon kërkesat për informacion në formë të numëruar: dorëzimin e shkresës zyrtare të shkarkimit dhe datën e protokollimit; përcaktimin e personit që ushtron ligjërisht funksionin e kryetarit/ës apo të ushtruesit/es të detyrës pas lajmit për shkarkimin; identifikimin e autoritetit institucional për negocimin dhe nënshkrimin në emër të bashkisë; vërtetimin e vazhdimësisë së zinxhirit të komandimit institucional dhe dorëzimin e dokumentacionit përkatës; dhe masat e marra për të garantuar funksionimin institucional në kushtet e paqëndrueshmërisë drejtuese. Zhulali rikujton se një situatë e ngjashme ndodhi disa muaj më parë, kur pas shkarkimit të Ristanit u emërua znj. Goxhaj, për të cilën nuk pati përgjigje zyrtare.
Përveç çështjeve të drejtimit institucional, Zhulali kërkon shpjegime lidhur me paralajmërimin e Shoqatës Kombëtare të Transportit Qytetas dhe Shoqatës së Transportit Urban e Interurban, datë 11 gusht 2026, për rrezikun e reduktimit të kapaciteteve të flotës së transportit publik. Ajo kërkon informacion mbi arsyet konkrete të krizës financiare të operatorëve, mbi aktorët që po negociojnë me shoqatat dhe institucionet qendrore, masat konkrete për të parandaluar reduktimin e autobusëve dhe kopje të çdo komunikimi zyrtar lidhur me këtë çështje.
Si kërkesa proceduralë, Zhulali kërkon thirrjen e një seance urgjente/të jashtëzakonshme të Këshillit Bashkiak, përgjigje me shkrim për secilën pikë brenda afateve ligjore dhe vënien në dispozicion të dokumentacionit zyrtar mbështetës. Ajo thekson se qytetarët dhe këshilli kanë të drejtë të dinë se kush drejton institucionin dhe që shërbimet thelbësore, si transporti urban, të mos rrezikohen nga çështje institucionale. Kërkesa është nënshkruar nga Ilda Zhulali, këshilltare dhe nënkryetare e grupit të PD-së.

