Zyrtarë të lartë ushtarakë amerikanë i kanë paralajmëruar Sekretarin e Mbrojtjes, Pete Hegseth, se një operacion i zgjatur në shkallë të gjerë kundër Iranit mund të kufizojë ndjeshëm aftësinë e SHBA për t’u përgjigjur krizave në rajone të tjera dhe për të përmbushur detyrimet e mbrojtjes. Paralajmërimet përfshihen në një vlerësim të klasifikuar të Pentagonit mbi vendosjen globale dhe gatishmërinë e forcave, raportuar nga The Washington Post. Çështja u ngrit në gusht në “Libri i Urdhrave të Sekretarit të Mbrojtjes”, dokument që pasqyron disponueshmërinë dhe vendosjen e aseteve ushtarake dhe përfshin vlerësime nga zyrtarë të lartë të Departamentit të Mbrojtjes.
Sipas raportit, shqetësimi u rrit pasi dokumenti parashikonte se një pjesë e forcave amerikane do të vazhdonte të qëndronte në Lindjen e Mesme gjatë vitit 2027. Komandantët e disa prej komandave kryesore, përfshirë ato për Paqësorin, Evropën dhe Amerikën e Jugut, paraqitën zyrtarisht treguesin e “mos-pajtimit”, duke shprehur kundërshtimin ndaj mbajtjes së forcave në rajon për një periudhë kaq të gjatë. Megjithatë, ky qëndrim nuk nënkupton refuzim për të zbatuar urdhrat; ushtria thekson se urdhrat do të zbatohen pavarësisht shqetësimeve.
Komandantët në Evropë, Azi dhe Amerikën Latine kanë parë avionë luftarakë, anije dhe asete të tjera të transferohen në Lindjen e Mesme për të mbështetur operacionet kundër Iranit. Këto zhvendosje kanë ndikuar në operacionet në tjetër rajone, programet e trajnimit dhe gatishmërinë e forcave. Një burim i përmendur përshkroi situatën brenda ushtrisë si ndjenjën se Shtetet e Bashkuara po përballen me “shumë vështirësi, për një kohë shumë të gjatë”. Komandantët përgjegjës për Evropën dhe Amerikën Latine paralajmëruan se transferimet e anijeve dhe avionëve kanë “degraduar aftësinë e tyre për të përmbushur detyrimet për mbrojtjen e atdheut”.
Kreu i operacioneve detare amerikane tha se vetëm rreth një e katërta e flotës së shkatërruesve është aktualisht në gjendje gatishmërie për dislokim, një nivel shumë më i ulët se para fillimit të luftës, dhe se nëse konflikti vazhdon me ritmin aktual, aftësia e flotës për t’iu përgjigjur një krize tjetër mund të jetë e rrezikuar.
Pentagoni ka hedhur poshtë pretendimet e The Washington Post. Zëdhënësi Sean Parnell i quajti ato “lajm i rremë” dhe të mbushura me pasaktësi, duke thënë se Hegseth është në koordinim të vazhdueshëm me drejtuesit e degëve, Shefat e Shtabit të Përbashkët dhe komandantët, dhe se vendimet për shkallën dhe kohëzgjatjen e dislokimeve bazohen në vlerësimet e kërcënimeve, prioritetet strategjike të presidentit dhe rekomandimet e udhëheqjes ushtarake. Ai shtoi se Departamenti i Mbrojtjes nuk diskuton publikisht procedurat e tij operative të brendshme.

