Një grua 31-vjeçare me shtetësi britanike ka ndërruar jetë pas një sulmi me thikë në stacionin hekurudhor të Rosenheim në Bavari, Gjermani. Ngjarja ndodhi në orët e para të mëngjesit të së dielës, kur policia u njoftua për një person të plagosur rëndë si pasojë e një sulmi me thikë në stacion.
E plagosura u dërgua me urgjencë në spital, por pavarësisht ndërhyrjes së mjekëve ajo ndërroi jetë pak më vonë. Menjëherë pas ngjarjes, në stacion u arrestua një 27-vjeçar me kartë identiteti gjermane, i dyshuar si autor i sulmit. Deri tani autoritetet nuk kanë dhënë informacion se viktima dhe i dyshuari njiheshin më parë.
Policia gjermane ka nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e ngjarjes dhe për të përcaktuar motivin e sulmit. Hetuesit punojnë për të rindërtuar minutat para sulmit dhe për të përcaktuar se çfarë e shkaktoi përplasjen që përfundoi me vdekjen e 31-vjeçares britanike. Në kuadër të hetimit po mblidhen dëshmi dhe po verifikohen çdo lloj të dhëne që mund të ndihmojë në sqarimin e ngjarjes.
Autoritetet i kanë bërë thirrje publikut, veçanërisht atyre që kanë qenë në stacion në orët e para të mëngjesit, që të kontaktojnë policinë nëse kanë parë ndonjë debat apo përleshje fizike apo disponojnë informacione të dobishme për hetimin. Policia kërkon çdo dëshmi që mund të kontribuojë në identifikimin e rrethanave të sakta të sulmit dhe në verifikimin e lidhjeve eventuale ndërmjet viktimës dhe të dyshuarit.
Hetimet vazhdojnë nën drejtim të organeve kompetente për të sqaruar secilën fazë të ngjarjes, ndërkohë që autoritetet nuk kanë dhënë detaje shtesë mbi motivin apo rrethanat familjare apo personale midis palëve të përfshira.

