“Jemi këtu në një mbrëmje poetike, dedikuar krijuesit të këtij teatri, bashkëshortit tim, mikut tim…”, tha Raimonda Shundi, bashkëshortja e Naun Shundit, në ceremoninë përkujtimore një vit pas ndarjes së tij nga jeta. Miqtë dhe kolegët që ndanë skenën dhe bashkëpunuan me dramaturgun u mblodhën në teatrin që Shundi themeloi në shtëpinë e tij, një hapësirë e lindur nga pasioni për artin, drama shqipe dhe dëshira për të mbështetur artistët e rinj.
Naun Shundi u përshkrua si aktor, regjisori, skenarist dhe dramaturg që i dha skenës shqiptare një pasuri të madhe artistike. Regjisori Kiço Londo e vlerësoi: “Bebi është… kjo falë aftësive të tij të rralla si profesionist i nivelit të lartë, si aktor i mrekullueshëm, si regjisor mjaft i mençur dhe si autor tekstesh shumë i këndshëm”. Lulzim Konçi, aktor, ndau marrëdhënien e gjatë personale me Shundin: “Unë kam pasur një jetë me Bebin, 50 vite pa u ndarë, vazhdoj e kam prapë, flas çdo natë me të…”.
Të pranishmit rikujtuan edhe dimensionet njerëzore dhe profesionale të Shundit. Bujar Asqeriu theksoi: “Nauni do të mbetet i paharruar për të gjithë ne sepse ishte një djalë i mençuar, i talentuar, djalë i Zoti në profesionin”. Ndërsa aktorja Raimonda Bulku vuri në dukje ëndrrën e tij për një qendër arti: “Na mrekulloi me ëndrrën çudibërëse për shoqërinë tonë, që akoma nuk e ka bërë njeri tjetër, për të bërë këtë folezë arti”.
Krijimtaria e Shundit u rikujtua si një reflektim i problemeve të shoqërisë shqiptare, të trajtuara me elegancë brenda veprave të tij. Një vit pas ndarjes, trashëgimia e tij artistike vazhdon në Teatrin Zonja e Bujtinës, institucion që ai la si testament për artin dhe për zhvillimin e skenës shqipe. Mbrëmja u shënua si një përkujtim i kontributit të tij ndaj teatrit dhe si vazhdim i angazhimit për të mbajtur gjallë vizionin që Shundi ndërtoi për komunitetin artistik.

