Trajneri i Kombëtares shqiptare, Rolando Maran, thotë se nuk trembet nga situata që ka dalë para nisjes së ndeshjeve zyrtare dhe refuzon që problematikat të kthehen në justifikime. Në një intervistë për Top Channel, ai foli për ndryshimet e shumta në skuadrat e lojtarëve kuqezi, për futbollistët që ende nuk kanë gjetur ekip dhe për mungesën e minutave për disa prej tyre, duke pranuar se kjo e vështirëson pak punën, por pa e konsideruar si alarm.
Maran tha se pas muajsh vëzhgimi ka tashmë një panoramë më të qartë të skuadrës: “Pas këtyre dy ndeshjeve të qershorit, tani kam mundësinë të shoh shumë gjëra dhe të kem një vizion më të qartë”. Ai ka ndjekur sa më shumë ndeshje të lojtarëve dhe do të udhëtojë në rreth shtatë vende për t’i parë nga afër. Trajneri thekson se do të preferonte që lojtarët të kishin më shumë vazhdimësi dhe minuta te klubet e tyre: “Sidomos për Kombëtaren, është thelbësore që një lojtar të luajë. Mesazhi që kam përcjellë është që shpresa ime mbetet që ata të mund të luajnë dhe të kenë vazhdimësi”.
Për gjendjen e ekipit para fazës së Nations League, Maran shprehet se rezultati do të përcaktohet në fushë: “Këtë do ta tregojë fusha”. Ai pranon se problematikat e merkatos mund t’i kishin dhënë skuadrës më shumë siguri, por nuk i sheh si arsye për panik dhe shpreh besimin se kombëtarja mund të arrijë rezultate të rëndësishme: “Jam i bindur që Kombëtarja është një skuadër që mund të bëjë gjëra të rëndësishme. I ka të gjitha letrat për t’i luajtur këto ndeshje në mënyrën më të mirë.”
Në pyetjen nëse ka frikë nga vështirësitë e përgatitjeve, ai përgjigjet prerë: “Jo, frikë jo. Është e qartë që ka vështirësi, por vështirësitë të stimulojnë.” Maran nuk pranon përdorimin e problemeve si alibi: “Unë nuk jam i mësuar të qaj për vështirësitë. Ato duhet të jenë një stimul për të bërë akoma më shumë. Ne duhet të dimë që do të ketë vështirësi dhe duhet të jemi të gatshëm për to.” Sipas tij, mënyra si skuadra i përballon këto vështirësi mund të rrisë forcën e saj: “Por nëse vështirësitë i përdorim si alibi, jo… Kur kalon vështirësitë, ndihesh më i fortë. Dhe ky është objektivi ynë.”

