Emanuela Maria Lamedica, 26-vjeçarja e njohur me emrin artistik Lamedica, kërkoi në një seancë gjyqësore në Milano të lirohej nga qelia me arsyetimin se duhej të promovonte këngën e saj të re në rrjetet sociale. Ajo ishte arrestuar pas një kallëzimi nga gjyshja e saj dhe përballet me akuza për keqtrajtim dhe ofendime verbale. Gjatë seancës për vlerësimin e masës së sigurisë, Lamedica iu drejtua gjyqtares Chiara Valori duke kërkuar të kthehej në shtëpi, sepse kënga e re do të publikohej në Spotify dhe duhej ta reklamonte në Instagram; “Duhet të publikoj në Instagram për të promovuar këngën time”, tha ajo. Kërkesa shkaktoi reagime dhe buzëqeshje në sallën e gjyqit, por vendimi i gjyqtares u bazua në rrethanat ligjore dhe jo në angazhimet artistike të të arrestuarës.
Mbrojtja ka shpjeguar se çështja lidhet me sjellje abuzive dhe fyerje verbale ndaj të moshuarës, ndërsa avokatja e Lamedicës ka theksuar se nuk bëhet fjalë për një sulm fizik. Gjatë seancës, artistja foli gjithashtu për kushtet në qelinë e burgut San Vittore, ku kishte kaluar natën. Ajo insistoi se kishte detyrime profesionale për të përmbushur, pasi kënga e re, “Maniere forti”, është pjesë e projektit të saj muzikor pas këngës “Barbie nel ghetto”.
Në përfundim të seancës, gjyqtarja Chiara Valori vendosi lirimin e 26-vjeçares nga burgu, duke i vendosur masa kufizuese. Lamedica do të monitorohet përmes një byzylyku elektronik dhe i është ndaluar kontakti me gjyshen e saj, e cila konsiderohet palë e dëmtuar në këtë çështje. Vendimi i dha mundësinë artistes të rikthehej në shtëpi dhe të vazhdonte aktivitetin e saj në rrjetet sociale, ashtu si kishte paralajmëruar në sallën e gjyqit.
Më pas Lamedica publikoi në Instagram materiale për promovimin e këngës së re, duke e cilësuar atë si një prej hiteve të vitit 2026 dhe duke i bërë thirrje ndjekësve ta dëgjonin dhe ta shpërndanin. Në një postim ajo shkroi: “Ndajeni me të gjithë, veçanërisht me armiqtë e mi”.

