Ministria e Mbrojtjes njofton se gjatë 24 orëve të fundit në territorin e vendit janë raportuar 34 vatra zjarri; nga këto 5 mbeten aktive dhe 2 janë nën mbikëqyrje. Për menaxhimin e situatës janë angazhuar në total 481 forca operacionale dhe 44 automjete zjarrfikëse. Në mbështetje të strukturave vendore janë angazhuar gjithashtu 105 efektivë të Forcave të Armatosura (FA), 2 automjete zjarrfikëse të FA-së, 3 helikopterë dhe 1 avion AIR TRACTOR.
Vatrat aktive janë të përqendruara në qarqet Tiranë dhe Dibër. Në Malin e Dajtit vijon puna pas riaktivizimit të tre vatrave, me angazhimin e 25 forcave zjarrfikëse/AZM dhe 20 efektivëve të FA-së. Në qarkun Dibër, aktive mbeten vatrat në Qafë të Helmës, Vajkal, Sllatinë dhe Komsi. Në Vajkal janë aktualisht të angazhuar 61 forca, përfshirë 30 efektivë të FA-së; në Sllatinë operojnë 78 forca; në Komsi janë angazhuar edhe 25 efektivë të FA-së. Sipas raportimit, këto vatra nuk paraqesin rrezik për zonat e banuara.
Në qarkun Elbasan, vatrat në Malin e Dardhës dhe Malin e Qukësit janë nën mbikëqyrje dhe po ashtu nuk paraqesin rrezik për zonat e banuara. Gjatë ditës së djeshme pati ndërhyrje të konsiderueshme në Tërbaç dhe Vranisht të Himarës, ku u angazhuan forca tokësore, 2 helikopterë dhe 1 AIR TRACTOR; po ashtu në Xhyrë të Librazhdit ndërhyri edhe 1 helikopter i FA-së. Të dyja këto vatra janë deklaruar të fikura.
Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile (AKMC) vijon të ndjekë në mënyrë të pandërprerë situatën në të gjithë territorin, në koordinim të ngushtë me prefekturat, bashkitë dhe strukturat e sistemit të Mbrojtjes Civile. Kapacitetet operacionale mbeten të angazhuara në terren dhe në gatishmëri për të ndërhyrë aty ku situata e kërkon, me prioritet mbrojtjen e jetës, banesave dhe pasurisë së qytetarëve.

