Gjykata e Ekuadorit shpalli fajtor ish-presidentin Lenín Moreno për pranimin e ryshfetit nga një grup kinez ndërtimi në këmbim të dhënies së kontratës publike për hidrocentralin Coca Codo Sinclair. Prokuroria njoftoi se katër persona janë shpallur fajtorë në këtë çështje korrupsioni, ndërsa për Morenon gjykata nuk ka vendosur ende dënimin përfundimtar; prokuroria kërkon një dënim prej 6 vjet e 6 muaj burg.
Sipas akuzës, Moreno kishte qenë pjesë e një rrjeti korrupsioni që veproi në periudhën 2009–2018 dhe që lidhej me kontratën e ndërtimit të hidrocentralit të madh, projekt i realizuar nga kompania kineze Sinohydro. Kjo kompani akuzohet se ka shpërndarë rreth 76 milionë dollarë ryshfete në kuadër të rastit.
Në hetime janë përfshirë rreth dy duzina persona të tjerë, përfshirë gruan dhe vajzën e Morenos, drejtues biznesesh dhe një ish-ambasador kinez në Quito. Moreno, 73 vjeç dhe i lëvizur me karrige me rrota, ka mohuar vazhdimisht akuzat. Pas vendimit të gjykatës ai deklaroi se nuk kishte marrë “asnjë qindarkë nga Sinohydro” dhe pretendoi se çështja kundër tij është pjesë e një persekutimi politik të orkestruar nga ish-presidenti Rafael Correa.
Lenín Moreno ka shërbyer më parë si nënkryetar i Rafael Correas dhe më pas si pasardhës i tij në presidencën e Ekuadorit, nga viti 2017 deri në vitin 2021. Fillimisht u konsiderua si pasardhës politik i Correas, por më vonë u distancua dhe orientoi politikën e vendit drejt Shteteve të Bashkuara. Rafael Correa, që drejtoi Ekuadorin nga viti 2007 deri në vitin 2017, jeton në Belgjikë; ai u dënua në mungesë në vitin 2020 me 8 vite burg për korrupsion dhe autoritetet belge i kanë dhënë azil politik.

