Kryetari i Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj, ka shkarkuar nga detyra kryetaren e komanduar, Anuela Ristani, duke i hequr delegimin për të ushtruar detyrat e kryetares së Bashkisë. Ristani do të vazhdojë të mbajë detyrën e nënkryetares. Vendimi është marrë në mbështetje të nenit 8, pika 2 dhe nenit 64 të ligjit nr. 139/2015 “Për vetëqeverisjen vendore”, si dhe nenit 113 të ligjit nr. 44/2015 “Kodi i Procedurave Administrative”.
Vendimi citon urdhrin nr. 366 (nr. 7461 prot.), datë 14.02.2025, me të cilin ishte deleguar përkohësisht ushtrimi i detyrave të kryetarit të Bashkisë Tiranë, duke e paraqitur atë si një instrument organizativ me karakter të përkohshëm, të synuar për garantimin e vijimësisë së funksionimit të administratës dhe shërbimeve të bashkisë në atë periudhë. Dokumenti thekson se mandati i kryetarit të zgjedhur është vijuar juridikisht dhe është njohur në vendimmarrje të Gjykatës Kushtetuese, ndërsa vendimmarrja më e fundit e kësaj gjykate ka eliminuar çdo paqartësi mbi vijimësinë dhe mbrojtjen kushtetuese të mandatit dhe mbi autoritetin që rrjedh prej tij.
Sipas argumentimit të vendimit, vendimmarrja më e fundit e Gjykatës Kushtetuese përbën një rrethanë të re dhe përcaktuese për raportet institucionale brenda bashkisë, duke kërkuar që ushtrimi i çdo kompetence të deleguar të zhvillohet në përputhje dhe në koordinim të plotë me autoritetin e kryetarit të zgjedhur. Për më tepër, vendimi thekson se, për shkak të natyrës përkohëse e derivare të delegimit, ai mund të vijojë vetëm nëse i shërben qëllimit për të cilin është dhënë dhe ushtrohet në respekt të autoritetit kushtetues dhe ligjor të organit delegues.
Në periudhën pasuese, veçanërisht pas vendimmarrjes së fundit të Gjykatës Kushtetuese, dokumenti evidenton një shkëputje progresive të ushtrimit të kompetencave të deleguara nga autoriteti i kryetarit të zgjedhur, e materializuar në mungesë informimi dhe koordinimi institucional, moszbatim të vendimeve gjyqësore, moszbatim dhe refuzim të urdhrave të drejtpërdrejtë të kryetarit, si dhe në veprime dhe mosveprime që kanë cenuar zinxhirin normal të përgjegjësisë dhe drejtimit institucional. Këto rrethana, thuhet në vendim, kanë kulmuar me refuzimin e autoritetit të kryetarit të zgjedhur për të ushtruar kompetencat që Kushtetuta dhe ligji i njohin drejtpërdrejt, duke kthyer delegimin në pengesë për ushtrimin efektiv të mandatit të organit delegues.
Qëllimi i shkarkimit, sipas vendimit, është garantimi i ligjshmërisë, vijimësisë, stabilitetit dhe funksionimit normal të Bashkisë së Tiranës, ofrimi i pandërprerë i shërbimeve publike dhe mbrojtja e interesit të qytetarëve të Tiranës.

