Në një vilë qeveritare në periferi të Tiranës nisi takimi i kryeministrit Edi Rama me 12 drejtuesit politik të Partisë Socialiste dhe ministrat. Mbledhja ishte planifikuar të mbahej në selinë e PS, por u transferua në një prej vilave qeveritare pas thirrjeve për të protestuar përpara selisë rozë dhe për të gjuajtur me vezë pjesëmarrësit. Burime nga PS i thanë gazetarit të Top Channel, Muhamed Veliu, se anulimi i takimit në seli lidhet me dy arsye. E para ishte shmangia e incidenteve të mundshme në një zonë të mbushur me turistë dhe e vështirë për të garantuar një perimetër të gjerë sigurie. E dyta ishte mosdhënia “ushqim” algoritmit të protestës, i cili synonte prodhimin e videove me goditjen me vezë të ministrave dhe drejtuesve politik.
Takimi i sotëm është konceptuar si vijim i asaj çfarë u prodhua në Pogradec, me synimin final avancimin në zbatimin e angazhimeve të përmbajtura në dokumentet Besa dhe Pasqyra Albania. Nga Pogradeci, Edi Rama u kërkoi drejtuesve politik të nisnin përgatitjet për zgjedhjet e ardhshme lokale; për këtë arsye nuk përjashtohet mundësia që çështja e përgatitjeve për zgjedhjet lokale të diskutohet gjatë takimit të sotëm. Duke nisur nga kjo e shtunë, drejtuesit politik do të nisin një tur në 12 qarqe, së bashku me deputetët e PS, ku do të shpjegojnë bazën socialiste dhe dokumentet Besa dhe Pasqyra Albania.
Lëvizja e vendit të mbledhjes pas thirrjeve për protesta dhe rrezikut të ngjarjeve të manipuluara në rrjetet sociale tregohet nga burimet e Partisë Socialiste si një masë për të minimizuar incidente dhe për të shmangur krijimin e materialit audioviziv që mund të përdorej për të dëmtuar imazhin e pjesëmarrësve. Takimi vjen në kuadrin e vijimit të punës në dokumentet strategjike të partisë dhe përgatitjeve për aktivitetin politik në terren në prag të zgjedhjeve lokale. Top Channel.

