Mbas dërgimit të dy e-maileve kërcënuese mbi 100 institucione, Antiterrori ka vënë në dijeni autoritetet përkatëse dhe ka kërkuar ndihmë nga Europol për hetime të specializuara. Sipas burimeve të gazetares së Top Channel, Anila Hoxha, hetimet janë fokusuar në fushën kibernetike, ndërsa çështja pritet t’i përcillet ditën e sotme Prokurorisë për veprën “përhapje e informatave të rreme që nxisin panik”, neni 267 i Kodit Penal.
Grupi i hetimit, duke u bazuar në tekstet e dërguara dje rreth orës tetë në dhjetra institucione, vlerëson se mesazhi është përkthyer në shqip me Google Translate. Si shembull u përmend fraza që për gazetaren Anila Hoxha u referua si “Ky është Shteti Islamik”, ndërsa në emailin kërcënues ishte shkruar “Kjo është Shteti Islamik”. Mes të dhënave të mbledhura janë dhe vetë emailet që po administrohen si prova.
Pas sinjalizimeve u kryen evakuime dhe kontrolle me qen antieksplozivë në shumë institucione. Oficerët e policisë gjyqësore po kryejnë veprimet hetimore në këqyrjen e emaileve dhe po i administrojnë ato si prova. Lista e institucioneve që morën kërcënimet dhe ku u ndërmorën kontrolle përfshin gjykatat (përjashto Kushtetuesen dhe Gjykatën e Lartë), Ministrinë e Brendshme, Ministrinë e Mjedisit, shërbimin e Meteorologjisë, Qendrën Kombëtare të Biznesit, Sigurimet Shoqërore, Inspektoratin Shëndetësor, Agjencinë e Pyjeve dhe disa bashki.
Në email paralajmërohej se në institucion ishte vendosur një bombë dhe se ajo do të shpërthente brenda dy orësh. Gazetarja Anila Hoxha njofton se ky është rasti i dytë brenda vitit, pas një alarmi të ngjashëm disa muaj më parë në një qendër tregtare.
Më herët, sipas raportimeve të Anila Hoxhës, SPAK ka ngritur akuza në mungesë ndaj një shtetasi rus të identifikuar si Vladislav Urban për dërgimin në 2023 të një emaili kërcënues me bombë, ku pretendonte se e kishte vendosur në aeroportin e Rinasit dhe do ta shpërthente nëse Shqipëria nuk e njihte Kosovën si Serbi.

