Mbreti Harald V i Norvegjisë ka ndërruar jetë në moshën 89-vjeçare, pas disa ditësh trajtim në spital për një sëmundje të rrallë të gjakut. Pallati Mbretëror në Oslo njoftoi se ai vdiq paqësisht të premten në orën 06:35 me kohën lokale, në spitalin kombëtar të Norvegjisë. Familjarët e vizituan gjatë orëve të fundit, ndërsa shumë qytetarë vendosën lule pranë Pallatit Mbretëror.
Harald V, qëmbajti në fron për rreth 35 vjet, dhe do të pasohet nga djali i tij, Princi i Kurorës Haakon. Ai njihej si një monark që modernizoi dhe e bëri më të hapur familjen mbretërore norvegjeze, duke sfiduar traditat kur vendosi të martohej me Sonja Haraldsen, e cila nuk vinte nga një familje mbretërore. Pas pritjes dhe kundërshtimeve, ai mori lejen e babait, Mbretit Olav V, dhe u martua me Sonjën në Katedralen e Oslos më 29 gusht 1968; vendimi hapi rrugën që edhe brezat e ardhshëm të familjes mbretërore të martoheshin jashtë aristokracisë.
Si figurë publike, Harald u përshkrua shpesh si “mbreti i popullit” dhe “gjyshi i kombit”. Gjatë mbretërimit të tij, oborri u bë më i afërt dhe transparent për qytetarët. Një moment kryesor ishte pas sulmeve të 22 korrikut 2011, kur ai bëri thirrje për unitet dhe mbajti një fjalim emocional për viktimat dhe familjet e tyre. Në 2016 ai mbajti një fjalim në mbështetje të diversitetit, duke theksuar bashkëjetesën e njerëzve me prejardhje dhe bindje të ndryshme.
Harald lindi më 21 shkurt 1937 në pronën mbretërore Skaugum dhe u rrit nën ndikimin e Luftës së Dytë Botërore, duke u larguar së bashku me familjen në Suedi dhe më pas në Shtetet e Bashkuara. U emërua Princ i Kurorës në 1957 dhe studioi në Balliol College të Universitetit të Oksfordit (1960–1962). Ishte sportdashës, përfaqësoi Norvegjinë në tre Lojëra Olimpike në lundrim dhe njoftoi në 2022 se ndalonte garat. Ai gjithashtu u angazhua në çështje mjedisore dhe në degën norvegjeze të WWF.
Vitet e fundit u shoqëruan me probleme shëndetësore dhe polemika familjare. Mbreti reduktoi angazhimet publike në prill 2024 dhe po trajtohej me kortizon për hemolitik anemi; u shtrua në spital më 17 gusht dhe Haakon mori përsipër detyrat si regjent. Familja u përball edhe me polemika rreth ish-lidhjes së Mette-Marit me Jeffrey Epstein, problemet shëndetësore të saj dhe dënimin në qershor të Marius Borg Høiby, i cili ka apeluar. Harald lë pas Mbretëreshën Sonja, Princeshën Märtha Louise, djalin dhe tashmë Mbretin Haakon, dhe gjashtë nipër e mbesa.

