Dy persona humbën jetën pas një sulmi me armë zjarri në kampusin e shkollave private Docemus në Neu Zittau, në distriktin Oder-Spree të Brandenburgut, Gjermani. Autori i dyshuar, një 19-vjeçar, u arrestua nga policia. Viktimat, sipas mediave lokale, janë një studente 18-vjeçare dhe një 30-vjeçar. Autoritetet dyshojnë se 18-vjeçarja ishte ish-e dashura e autorit, ndërsa 30-vjeçari u qëllua për vdekje pasi tentoi të ndërhynte për ta ndaluar sulmuesin.
Policia dhe shërbimet e emergjencës mbërritën në vend rreth orës 13:45, pas raportimeve për një person të armatosur. Në operacion morën pjesë një numër i madh efektivësh policorë, zjarrfikës dhe ambulanca; për shkak të situatës u kërkua gjithashtu ndihma e dy helikopterëve të shpëtimit. Autoritetet rrethuan dhe siguruan ambientet e shkollës, ndërsa operacioni policor vijoi në zonë. Në oborr u vendosën barriera për të mbrojtur nxënësit.
Deri tani, autoritetet nuk kanë bërë të ditura të gjitha rrethanat e ngjarjes. Po hetohen motivi i sulmit dhe marrëdhënia mes 19-vjeçarit dhe viktimës 18-vjeçare. Hetimet vazhdojnë për zbardhjen e plotë të ngjarjes.

