Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka vendosur të mos pranojë rikthimin në detyrë të gjyqtarëve serbë që kishin dhënë dorëheqje në vitin 2022. Pas katër vjetësh, gjyqtarët dhe stafi mbështetës kishin kërkuar tërheqjen e dorëheqjeve të tyre, por me 9 vota pro, një kundër dhe një abstenim, KGJK-ja refuzoi rikthimin e tyre në punë. Gjatë mbledhjes, anëtarët arsyetuan zgjedhjen e tyre kundër rikthimit dhe propozuan hapjen e një konkursi për plotësimin e vendeve të lira që kanë mbetur pas dorëheqjeve.
Anëtari i Këshillit Gjyqësor, Artan Abazi, theksoi mungesën e garancive për disa prej tyre, duke vënë në dukje përfshirjen e disa gjyqtarëve dhe stafit në aktivitete politike: “Nuk kam garanci të them për të gjithë, për disa po, ata janë të përfshirë edhe në aktivitete politike. Kështu që një gjyqtar apo staf administrativ që është i përfshirë në aktivitete politike, nuk ka vend në sistemin gjyqësor në Kosovë.” Bashkim Hyseni propozoi që të bëhet lirimi nga detyra i këtyre gjyqtarëve dhe të hapet konkursi duke respektuar kuotat kushtetuese: “Zgjidhja do të duhej të ishte që të bëhet propozimi që këta gjyqtarë të lirohen nga detyra dhe të hapet konkursi duke i respektuar kuotat kushtetuese.”
Ivana Milenkoviq ishte e vetmja anëtare që votoi në favor të rikthimit të gjyqtarëve serbë të dorëhequr, argument që me këtë hap do të mbahej rendi kushtetues dhe do të rikthehej siguria juridike për qytetarët: “Me këtë hap do t’u mundësojmë gjyqtarëve që të kthehen në detyrat e tyre, do ta mbrojmë rendin kushtetues dhe do ta rikthejmë sigurinë juridike për qytetarët.”
Vendimin e Këshillit Gjyqësor e përshëndeti ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, e cila njoftoi se së shpejti do të dekretojë lirimin e gjyqtarëve serbë nga detyra. Më parë, edhe Këshilli Prokurorial i Kosovës kishte refuzuar rikthimin e prokurorëve serbë që ishin tërhequr si shenjë proteste ndaj vendimeve të Qeverisë së Kosovës në vitin 2022.

