Trajneri i Kombëtares shqiptare, Rolando Maran, ka nisur një tur takimesh me klubet e “Abissnet Superiore” si pjesë e një pune të vazhdueshme për të qenë më pranë futbollit vendas dhe për të forcuar bashkëpunimin me klubet shqiptare. Në shoqërinë e ndihmësve të tij, Christian Maraner dhe Ervin Bulku, Maran zhvilloi një vizitë në ambientet e klubit të Tiranës, ku u takua me trajnerin e skuadrës bardheblu, Dean Klafuriç, dhe ndoqi nga afër një seancë stërvitore të ekipit.
Takimi me stafit e Tiranës shërbeu për shkëmbimin e ideve dhe eksperiencave mbi punën e përditshme të skuadrës, zhvillimin e futbollistëve dhe situatën aktuale të futbollit shqiptar. Vizitat në klubet vendase përbëjnë pjesë të qasjes së Maranit për të krijuar një komunikim sa më të drejtpërdrejtë me stafet teknike dhe për të njohur nga afër mënyrën e punës në kampionatin shqiptar. Sipas njoftimit, kjo qasje synon t’i japë stafit të Kombëtares një panoramë sa më të plotë mbi futbollistët dhe potencialin që ofrojnë klubet shqiptare.
Gjatë javëve të fundit, Maran ka ndjekur nga afër edhe angazhimet e Egnatias dhe Dinamo City në kompeticionet europiane, duke monitoruar performancat e skuadrave dhe futbollistëve shqiptarë në arenën ndërkombëtare. Kjo pjesë e vëzhgimit i jep stafit të Kombëtares informacion mbi nivelin e paraqitjeve ndërkombëtare të klubave dhe lojtarëve që mund të jenë në vëmendje për përfaqësuesen.
Turi i trajnerit të Kombëtares do të vijojë edhe në klubet e tjera të “Abissnet Superiore”, me takime të parashikuara me trajnerët, stafet teknike, drejtuesit dhe futbollistët. Përmes komunikimit të drejtpërdrejtë me klubet, synohet forcimi i bashkëpunimit mes Kombëtares dhe klubeve, si dhe krijimi i një lidhjeje më të ngushtë në funksion të zhvillimit të futbollit shqiptar dhe të përfaqësueses kuqezi.

