Mbi 200 të vdekur dhe rreth 1,300 të zhdukur është bilanci deri tani i përmbytjeve katastrofike në Nepal, ndërsa viktima raportohen edhe në Kinën fqinje. Fillimisht pati pështjellim lidhur me shkakun e fatkeqësisë; të dhënat e fundit tregojnë se ngjarja mund të ketë qenë shkaktuar nga shembja e një akullnaje në zonat e larta malore, që çoi në një rrëshqitje masive toke dhe më pas në një vërshim ku uji u bashkua me baltë e shkëmbinj.
Instituti Gjeologjik i Shteteve të Bashkuara (USGS) njoftoi se ngjarja u regjistrua fillimisht si një tërmet me magnitudë 4,4, por analizat e mëtejshme të valëve sizmike treguan se energjia sizmike ishte krijuar nga një rrëshqitje dheu dhe jo nga një tërmet tektonik. Mes të zhdukurve janë edhe më shumë se 300 turistë, përfshirë vizitorë nga Gjermania, SHBA-ja dhe Spanja.
Agjencia Yonhap, duke cituar Ministrinë e Punëve të Jashtme të Koresë së Jugut, raportoi se disa shtetas të Koresë së Jugut që punonin në një hidrocentral në atë zonë rezultojnë gjithashtu të zhdukur. Autoritetet njoftojnë se fshatra të tëra janë shkatërruar dhe janë dëmtuar rrugë, ura dhe centrale elektrike. Disa autostrada dhe rrugë kryesore mbeten të bllokuara, duke vështirësuar operacionet e shpëtimit dhe qarkullimin.
Në internet u përhapën me shpejtësi video ku shihej se si masa të mëdha uji rrëmbenin shtëpi të tëra dhe ndërtesa që përfundonin të zhytura në baltë. Raportet e dëmve dhe pamjet vizuale tregojnë për shkatërrim të gjerë në zonat e prekura.
Shkencëtarët kujtojnë se rajoni i Himalajeve, ku përfshihet Nepali, po ngrohet më shpejt se pjesa tjetër e botës. Si pasojë, reshjet e shiut në këtë zonë po bëhen më të shpeshta dhe akullnajat po shkrihen më shpejt, faktorë që mund të rrisin rrezikun e ngjarjeve të ngjashme në të ardhmen. Informacionet mbi numrin e viktimave, të zhdukurve dhe dëmet vazhdojnë të përditësohen ndërsa zhvillohen operacionet e shpëtimit dhe hetimet për shkakun e saktë të fatkeqësisë. Top Channel.

