Në zonën e Rodhopit në Greqi, 44-vjeçarja shqiptare Esma Meço u vra me thikë, siç njoftojnë mediat greke. Si i dyshuar për vrasjen është arrestuar bashkëshorti i saj 53-vjeçar, Bujar Meço. Ngjarja ndodhi mesditën e sotme në fshatin Dialambi, ku gruaja ishte kthyer për të festuar ditëlindjen e vajzës së saj 16-vjeçare, pasi punonte sezonalisht në ishullin Thasos dhe ishte larguar më herët nga shtëpia.
Sipas raportimeve, 53-vjeçari dyshohet se e sulmoi dhe e goditi me thikë në qafë, duke i shkaktuar plagë që rezultuan fatale. Pas sulmit, djali 19-vjeçar e mori nënën e tij të gjakosur dhe e çoi me urgjencë në spital në përpjekje për ta shpëtuar, por mjekët njoftuan se Esma Meço kishte ndërruar jetë. Vajza 16-vjeçare, e cila ndodhej në një dhomë tjetër të banesës, dyshohet se ka telefonuar autoritetet për të njoftuar për sulmin. Të dy fëmijët po mbahen nën efektin e shokut.
Pas ngjarjes, i dyshuari për vrasje raportohet se u vetëplagos dhe konsumoi naftë në një tentativë për t’i dhënë fund jetës; ai u transportua në spital dhe po trajtohet nën kujdesin e policisë, jashtë rrezikut për jetën. Policia sekuestron dy thika nga vendi i ngjarjes dhe hetimet vazhdojnë për të sqaruar plotësisht rrethanat e krimit. Kundrejt 53-vjeçarit është ngritur çështje penale për vrasje me dashje, dhunë në familje dhe shkelje të ligjit për armët.
Autoritetet greke njoftojnë se autopsia pritet të përcaktojë shkakun e saktë të vdekjes, ndërsa hetimet paraprake po kryhen nga Departamenti i Hetimit dhe Ndjekjes Penale të Krimeve në Komotini. Policia thekson se në vitin 2022 i dyshuari ishte arrestuar në Heraklion të Kretës për kërcënime në familje ndaj së njëjtës gruaje. Deklarimet e dy fëmijëve pritet të merren në ditët në vijim për të hedhur më shumë dritë mbi momentet para dhe gjatë krimit.

