Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca kanë qenë të pranishme edhe të mërkurën në sallën e seancave të Kuvendit të Kosovës, ndërsa deputetët e partive opozitare i kanë bërë thirrje Lëvizjes Vetëvendosje që të thërrasë vazhdimin e seancës konstituive. Elmi Recica nga PDK tha: “Ka një ironi të madhe, për vite me radhë Albin Kurti ka ndërtuar identitetin e tij politik duke kundërshtuar institucionet, që në fakt është identiteti i vandalit dhe jo i idealit. Në rrugë, në protesta, në përplasje. U ngrit mbi kokat e njerëzve të pafajshëm, për ambiciet e tij personale”. Deputetja Time Kadrijaj akuzoi Kurtin me fjalët: “O shkelësi i Kushtetutës, o patriot me bateria, nuk mund të kamuflohesh as me këtë Flamur të shenjtë dhe me asgjë tjetër dhe qëllimshëm po e rrënon sistemin kushtetues”.
Të mërkurën, Aleanca dhe më pas Partia Demokratike e Kosovës depozituan kallëzim penal në Prokurorinë Speciale kundrejt 17 vendimeve të Qeverisë në detyrë. Besnik Tahiri nga AAK deklaroi: “E ka të ndaluar me ligjin për qeverinë të marrë vendime që janë të lidhura me 17 vendime të cilat janë marrë në mbledhjen e qeverisë për emërimin e komisioneve për rekrutimin e zyrtarëve të lartë shtetëror”.
PDK njoftoi se do të dorëzojë kallëzim penal edhe ndaj kryeministrit Albin Kurti dhe ndaj deputetëve të tjerë të VV që, sipas tyre, mbajnë funksione të dyfishta. “Si PDK, sot do të dorëzojmë kallëzim penal ndaj deputetit Albin Kurti dhe të gjithë deputetëve të tjerë të VV-së që mbajnë funksione të dyfishta, pra janë edhe anëtarë të qeverisë edhe janë betuar si deputetë”, tha deputeti Përparim Gruda.
Afati kushtetues për konstituimin e Kuvendit ka përfunduar më 7 gusht, por procedura nuk është përmbyllur. Arsyeja e moskompletimit të procesit është kërkesa e Vetëvendosjes për më shumë kohë për të arritur një marrëveshje politike për zgjedhjen e presidentit, për të cilën po negocion me Lidhjen Demokratike të Kosovës.

