Ministria e Mbrojtjes njofton se gjatë 24 orëve të fundit në territorin e vendit janë raportuar 34 vatra zjarri, nga të cilat 5 mbeten aktive dhe 4 janë nën mbikëqyrje. Në operacionet për përballimin e situatës janë angazhuar gjithsej 219 forca operacionale dhe 35 automjete zjarrfikëse. Forcat e Armatosura kanë dhënë mbështetje me 60 efektivë, 1 helikopter dhe 2 avionë Air Tractor.
Fokusi kryesor mbetet në Malin e Dajtit, ku vatrat vijojnë të jenë aktive pas disa riaktivizimeve në të dyja anët e kreshtës. Operacioni në Dajt vazhdon me përforcim prej 50 efektivësh të Forcave të Armatosura; në terren po veprojnë gjithashtu forca zjarrfikëse dhe të ADZM-së, ndërsa mbështetja ajrore është realizuar me 1 helikopter dhe 2 avionë Air Tractor. Sipas raportit, nuk ka rrezik për zonat e banuara.
Në qarkun Dibër mbeten aktive dy vatra: në Ballenjë–Kostenjë, ku vazhdon angazhimi me 6 forca të AZM Dibër, dhe në Qafë të Helmës, Bulqizë, e cila po monitorohet. Në të dyja rastet nuk raportohen rreziqe për zonat e banuara.
Në qarkun Elbasan vijojnë aktive vatrat në Malin e Dardhës, Librazhd, ku është shënuar riaktivizim dhe në terren ndodhen efektivë të MZSH Librazhd, si dhe në Malin e Qukësit, Prrenjas, ku gjithashtu është raportuar riaktivizim. Edhe këtu nuk rrezikohen zona të banuara.
Situata paraqitet më e përmirësuar në Pukë: në Gjegjan, Gojan i Vogël, Gojan i Madh, Prozhëm dhe Tërbun nuk ka më vatra aktive, ndërkohë që zonat vijojnë të mbahen nën mbikëqyrje.
Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile (AKMC) ndjek në mënyrë të pandërprerë situatën në të gjithë territorin, në koordinim me prefekturat, bashkitë dhe strukturat e sistemit të Mbrojtjes Civile. Kapacitetet operacionale mbeten të angazhuara në terren dhe në gatishmëri për të ndërhyrë aty ku situata e kërkon, me prioritet mbrojtjen e jetës, banesave dhe pasurisë së qytetarëve.

