Biznesmeni shqiptar Ermal Beqiraj do të qëndrojë në paraburgim në Francë, pasi gjykata rrëzoi kërkesën e tij për lirimin. Vendimi u mor ndërsa autoritetet shqiptare kanë paraqitur një kërkesë për ekstradimin e tij. Sipas raportimeve, 44-vjeçari u arrestua pasi fluturoi me avionin e tij të vogël mbi centralin bërthamor të Penly në departamentin Seine-Maritime. Beqiraj ishte në kontroll të avionit gjatë fluturimit mbi Normandinë dhe, pas uljes në aeroportin e Méaulte, u arrestua nga autoritetet franceze.
Pas arrestimit, autoritetet franceze morën një kërkesë për ekstradim nga Ministria e Drejtësisë së Shqipërisë; ai kërkohet për dyshime mbi mashtrim të organizuar. Sipas burimeve të AFP të cituara në media franceze, SPAK dyshon se në Francë janë identifikuar disa pasuri të lidhura me biznesmenin që mund të kenë origjinë kriminale. Midis pasurive të përmendura janë llogari bankare mbi 2 milionë euro, dy apartamente, një avion privat, automjete dhe një pronë e përshkruar si kështjellë në departamentin Oise, në veri të Francës.
Disa media shqiptare raportuan se bëhet fjalë për Château d’Auteuil në Berneuil-en-Bray, pranë Beauvais, që dyshohet të jetë blerë për rreth 2.6 milionë euro. Beqiraj ka qëndruar javët e fundit në burgun e Beauvais. Më 20 gusht, avokati i tij paraqiti kërkesë për lirimin para dhomës hetimore të Gjykatës së Apelit të Amiens, duke e kundërshtuar paraburgimin si të paligjshëm.
Mbrojtja theksoi se Beqiraj ishte njoftuar për kërkesën e mundshme nga mediat shqiptare dhe se vetë kishte informuar autoritetet franceze mbi situatën, duke dhënë adresën dhe u shpreh i gatshëm për bashkëpunim. Sipas avokatit, kjo nuk përputhet me pretendimin se klienti ishte person i arratisur. Vetë Beqiraj deklaroi se arriti në Francë në moshë 16-vjeç, ka familjen e tij të dytë atje, lëviz shumë mes Turqisë, Sllovenisë dhe Francës, dhe se e do Francën, pavarësisht se nuk e konsideron vendin më të mirë për t’u fshehur apo për taksa.

