Prokuroria Speciale ka gjetur dhe analizuar një dokument të emërtuar “Leptiri”, i cili, sipas saj, është përpiluar në vitin 2001 nga strukturat e Sigurimit Shtetëror të Serbisë (RDB) dhe përshkruan një plan operativ për komprometimin dhe rekrutimin e Albin Kurtit gjatë kohës që ai vuante dënimin në burgjet e Serbisë. Dokumenti, i gjetur në telefonin e të pandehurit Fatmir Sheholli, parashihte përdorimin e një burimi operativ me nofkën “Leptiri” për sigurimin e materialeve komprometuese me qëllim ushtrimin e presionit drejt bashkëpunimit me RDB-në, thuhet në dosjen e prokurorisë.
Në aktakuzë thuhet se Sheholli ka shpërndarë këtë dokument te disa persona dhe ka kërkuar përkthimin e tij nga gjuha serbe në shqip. Prokuroria vlerëson se veprimet e tij, së bashku me komunikimet dhe materialet e tjera të evidentuara në telefon, janë relevante për të dëshmuar kontaktet, lidhjet dhe bashkëpunimin e tij me persona dhe struktura të ndërlidhura me shërbimet e sigurisë serbe, si dhe rolin e tij në përcjelljen dhe shpërndarjen e materialeve me origjinë nga këto struktura.
Në deklarimin e tij për dokumentin “Leptiri”, i pandehuri ka thënë se dokumentin ia ka dërguar Bojan Dimiç në telefonin e tij. Kur prokurori e pyeti kujt ia ka shpërndarë dokumentin, Sheholli deklaroi se e ka dërguar te Milazim Gashi, të cilin e përshkroi si një mik që është në SHISH të Shqipërisë dhe përmendi emrin Dritan Gjoni, të cilin e identifikoi si shef i SHISH-it në Durrës. Ai tha gjithashtu se e kishte dërguar te Blerim Canaj dhe te një person me emrin Bashkim Pushkolli, por shtoi se nuk ishte i sigurt nëse ia kishte dërguar këtij të fundit.
Materialet dhe deklarimet janë pjesë e dosjes së prokurorisë, ku përshkruhen mënyrat e shpërndarjes dhe komunikimeve lidhur me dokumentin e gjetur në pajisjen e të pandehurit.

