Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, shpjegoi prioritetet e diplomacisë shqiptare për periudhën në vijim, duke vendosur në qendër procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian, forcimin e bashkëpunimit rajonal dhe reformimin e Shërbimit të Jashtëm. Nga seminari i Qeverisë në Pogradec, Hoxha theksoi nevojën për një diplomaci më moderne, profesionale dhe meritokratike, si dhe për thjeshtimin dhe modernizimin e shërbimeve konsullore.
Në postimin e tij në X, ministri i përshkroi seminarin si një rast për të analizuar hollësisht prioritetet deri në fund të vitit, përfshirë politikën e jashtme. Sipas tij, vijimësia e suksesshme e procesit të anëtarësimit në BE mbetet objektivi parësor dhe kërkon ritëm të shtuar, fokus të qartë dhe angazhim të plotë diplomatik. Ai nënvizoi edhe angazhimin për të investuar më shumë në forcimin e bashkëpunimit rajonal, si kontribut për një Ballkan Perëndimor më të stabilizuar, të ndërlidhur dhe më pranë Evropës.
Për shërbimet konsullore, Hoxha premtoi modernizim dhe thjeshtim, me qëllim që ato të jenë më të shpejta, më të aksesueshme dhe më të orientuara drejt qytetarit. Në përpjekjen për reformim të Shërbimit të Jashtëm, ministri theksoi nevojën për një korpus diplomatik të aftë, të zhdërvjellët dhe të angazhuar, i cili të përfaqësojë denjësisht vendin, të mbrojë interesat kombëtare dhe të krijojë vlerë të shtuar për Shqipërinë.
Hoxha renditi objektiva konkrete të diplomacisë: të rritet ndikimi në imazhin dhe projektimin kulturor e shoqëror të vendit; të intensifikohen lidhjet me ekonominë dhe tregtinë; të forcohen ndërlidhjet, partneritetet dhe mundësitë; dhe të arrihen rezultate konkrete për Shqipërinë dhe qytetarët. Ai përmbylli se një Shqipëri europiane kërkon edhe një diplomaci europiane.

