Autoriteti Kombëtar i Ushqimit njofton se, pas ndryshimeve të Rregullores Zbatuese të Komisionit (BE) 2026/1189, me të cilën u ndryshua Rregullorja Zbatuese (BE) 2021/405, Brazili është hequr nga lista e vendeve të treta ose rajoneve të autorizuara për eksportin në Bashkimin Evropian të disa kategorive të kafshëve dhe produkteve me origjinë shtazore të destinuara për konsum njerëzor. Si pasojë, importi i mishit të gjedhit dhe të shpendëve nga Brazili është kushtëzuar nga miratimi i zonave dhe stabilimenteve të prodhimit nga Bashkimi Evropian, sipas edhe Urdhrit të Ministrit nr. 294, datë 13.06.2006, “Për importin e mishit nga Republika Federative e Brazilit”.
AKU sqaron se, në zbatim të këtyre ndryshimeve, ngarkesat për të cilat certifikata shëndetësore veterinare është nënshkruar ose lëshuar para datës 3 shtator 2026 do të pranohen ende në Pikat e Kontrollit Kufitar të Bashkimit Evropian, edhe nëse mbërrijnë në territorin e Republikës së Shqipërisë pas kësaj date. Këtë sqarim e ka bërë të ditur Komisioni Evropian gjatë një takimi më 28 maj 2026 në Bruksel midis përfaqësuesve të UECBV (Bashkimi Evropian i Tregtisë së Blegtorisë dhe Mishit) dhe DG SANTE, ku u theksua se kërkesat e reja nuk zbatohen për eksportet nga vendet e treta të kryera përpara datës 3 shtator 2026.
Autoriteti përsërit se ngarkesat e mishit të shpendëve dhe të gjedhit me origjinë nga Brazili, për të cilat certifikata shëndetësore veterinare zyrtare është nënshkruar dhe/ose lëshuar përpara datës 3 shtator 2026, do të vijojnë të pranohen në Pikat e Kontrollit Kufitar, edhe në rast se mbërrijnë në Shqipëri pas kësaj date. AKU njofton gjithashtu se do të vijojë monitorimin dhe zbatimin e kërkesave të legjislacionit në fuqi, me qëllim garantimin e sigurisë ushqimore dhe mbrojtjen e shëndetit publik.

