Bashkimi Europian po përgatit një reformë të thellë të procesit të zgjerimit që synon integrimin graduale të vendeve kandidate, forcimin e kontrolleve mbi demokracinë dhe sundimin e ligjit dhe ndryshimin e mënyrës së vendimmarrjes brenda vetë Unionit. Nga Zagrebi, komisionerja për zgjerimin Marta Kos tha se “bota ka ndryshuar dhe zgjerimi duhet të ndryshojë bashkë me të”, duke krahasuar momentin që po vjen me “Momentin e Helsinkit” të viteve ’90. Ajo njoftoi se Komisioni Evropian po përgatit një propozim të ri për një BE me më shumë se 30 shtete anëtare.
Një nga idetë kryesore të reformës është integrimi gradual, dhe jo më qasja “gjithçka ose asgjë”. Sipas Komisionit, vendet kandidate duhet të mund të përfitojnë gradualisht nga përfshirja në strukturat europiane edhe para anëtarësimit të plotë. Si shembuj, Kos përmendi pjesëmarrjen në SEPA dhe lidhjen me rrjetet energjetike të BE-së, duke theksuar nevojën për një qasje më të strukturuar ndaj procesit të zgjerimit.
Komisionerja paralajmëroi po ashtu vendosjen e garancive më të forta për të parandaluar kthimin prapa në demokraci dhe sundimin e ligjit pasi një shtet të bëhet pjesë e Unionit. Ajo vuri në dukje rrezikun e “kuajve trojanë” dhe nevojën që BE-ja të mos lejojë që anëtarët të largohen më vonë nga standardet demokratike. Kos argumentoi se proceset që zgjasin me dekada mund t’i bëjnë vendet kandidate më të ekspozuara ndaj presionit politik dhe ndikimit të rivalëve të BE-së, duke ritheksuar nevojën për ndryshime në mënyrën e vendimmarrjes brenda Unionit.
Sipas zyrtares së lartë, disa nga reformat mund të realizohen pa ndryshuar traktatet e BE-së, për të shmangur negociatat e gjata dhe proceset e ndërlikuara të ratifikimit. Kos përmendi Malin e Zi si vendin kandidat më të avancuar drejt anëtarësimit dhe evidentoi progresin e Shqipërisë në fushën e sundimit të ligjit.

