Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, deklaroi se Shtetet e Bashkuara nuk përjashtojnë përdorimin e forcës ushtarake kundër Iranit, teksa Uashingtoni vendosi sanksione të reja ndaj rreth 60 subjekteve, individëve dhe anijeve për të shtuar presionin ekonomik ndaj Teheranit. Masat janë paraqitur si pjesë e përpjekjeve të SHBA-së për të rritur kostot ndaj Iranit, ndërsa zyrtarë amerikanë nuk kanë përjashtuar veprime ushtarake në rajon.
Hegseth u shpreh: “Në asnjë mënyrë nuk e përjashtojmë mundësinë e sulmeve ushtarake në Ngushticën e Hormuzit apo rreth Iranit.” Ai gjithashtu theksoi se, sipas vlerësimeve të Uashingtonit, Irani “nuk do të jetë në gjendje t’i përballojë presionet ekonomike që po ushtrohen ndaj tij”. Deklaratat vijnë në një moment kur administrata amerikane po intensifikon përgjigjen financiare dhe diplomatike ndaj Teheranit.
Autoritetet iraniane reaguan duke minimizuar efektin e këtyre masave. Ministri i Ekonomisë, Ali Madanizadeh, tha se Irani është “plotësisht i përgatitur” për sanksionet dhe i konsideroi ato si pjesë të një plani amerikan për një “D Day” ekonomik, për të cilin Teherani thotë se ishte i gatshëm. Madanizadeh vlerësoi se sanksionet do të rezultonin në “një tjetër humbje” për SHBA-në, duke nënkuptuar se përpjekjet amerikane nuk do të arrijnë qëllimet e pritura ndaj Iranit.
Ministri shtoi se as Kina dhe as Rusia nuk i kanë pranuar masat amerikane dhe parashikoi se edhe vendet e tjera do të u rezistojnë atyre. Ai deklaroi se “Qeveria jonë është dhe ka qenë e përgatitur, dhe ka një plan dyvjeçar për menaxhimin e këtyre zhvillimeve,” duke theksuar se Teherani e kishte pritur prej kohësh një përshkallëzim të kësaj natyre. “Edhe ne kemi mjetet tona dhe dimë se si të luajmë këtë lojë,” përfundoi Madanizadeh, nënvizuar gatishmërinë e Iranit për të përballuar dhe kundërshtuar efektet e sanksioneve.

