Gjatë 24 orëve të fundit strukturat e sistemit të mbrojtjes civile raportuan 31 vatra zjarri në total, nga të cilat 3 mbeten aktive dhe 6 janë nën mbikëqyrje. Për menaxhimin e situatës janë angazhuar 370 forca operacionale dhe 22 automjete zjarrfikëse. Forcat e Armatosura raportohen të kenë dhënë mbështetje me 70 efektivë, 1 automjet zjarrfikës, 1 ekskavator të rëndë me zinxhir dhe 3 helikopterë.
Tre vatrat aktive ndodhen në Malin e Dajtit, Ballenjë dhe Qafën e Helmës. Në Malin e Dajtit, gjatë ditës së djeshme ishin angazhuar 30 efektivë të Forcave të Armatosura dhe 30 efektivë zjarrfikës, si dhe u përdor një helikopter i FA-së për shkak të terrenit të vështirë. Sot operacioni vazhdon me 20 efektivë të FA-së dhe nuk raportohet rrezik për zonat e banuara.
Në Ballenjë, Dibër, vatra vijon aktive në terren të thepisur dhe shkëmbor; për ndërhyrjen janë angazhuar 5 forca të ADZM Dibër dhe nuk paraqitet rrezik për zonat e banuara. Në Qafën e Helmës, Bulqizë, vatra vijon aktive dhe mbahet nën monitorim nga 4 efektivë të MZSH Bulqizë, gjithashtu pa rrezik për zonat e banuara.
Situata paraqitet e përmirësuar në Pukë. Në zonën e Tërbunit, Gojanit dhe Gjegjanit, gjatë ditës së djeshme u angazhuan 83 forca, të mbështetur nga 40 efektivë të FA-së dhe 1 helikopter i FA-së. Zjarri në Gjegjan, Gojan të Vogël dhe Gojan të Madh është shuar plotësisht, ndërsa zonat vijojnë të mbahen nën monitorim.
Në qarqet e tjera, pjesa më e madhe e vatrave të raportuara janë shuar ose po mbahen nën mbikëqyrje. Nuk raportohen situata me rrezik për zonat e banuara nga vatrat aktive. Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile (AKMC) vijon të ndjekë në mënyrë të pandërprerë situatën në të gjithë territorin, në koordinim të ngushtë me prefekturat, bashkitë dhe strukturat e sistemit të Mbrojtjes Civile. Kapacitetet operacionale mbeten të angazhuara dhe në gatishmëri, me prioritet mbrojtjen e jetës, banesave dhe pasurisë së qytetarëve.

