Një tjetër dron dhe një pajisje shpërthyese e nivelit ushtarak u zbuluan pranë aeroportit Leipzig-Halle, pas ngjarjeve të 4 gushtit, kur një dron i pajisur me eksplozivë u gjet në aeroport dhe një avion mallrash i DHL u përplas me një objekt të dyshimtë. Sipas NDR, WDR dhe “Süddeutsche Zeitung”, droni i tretë u gjet më 14 gusht në Kampelsketal, në një fushë pranë pjesës perëndimore të aeroportit. Autoritetet dyshojnë se edhe ky dron mund të ishte destinuar për të sulmuar avionët ukrainas të transportit të mallrave, por besohet se kishte pësuar një defekt.
Në vendngjarje u gjetën rreth 50 gramë Hexogen, i njohur edhe si T4, një material shumë shpërthyes që përdoret kryesisht për qëllime ushtarake. Një dron i parë i pajisur me eksplozivë ishte zbuluar më 4 gusht mes avionëve ukrainas të mallrave në aeroportin Leipzig-Halle; detonatori i tij ishte i dëmtuar, çka dyshohet se e pengoi shpërthimin.
Po atë natë, një avion mallrash i DHL u përplas me një objekt të dyshimtë që lëvizte me shpejtësi prej disa qindra kilometrash në orë. Përplasja shkaktoi dëme të kufizuara, por gjatë hetimeve nuk u gjet as droni dhe as ndonjë pjesë e tij. “Der Spiegel” raporton se ekzistojnë dyshime nëse objekti ishte vërtet një dron apo, për shembull, një zog. Ndërkohë, pranë pistës së aeroportit, në fshatin e braktisur Kursdorf, autoritetet zbuluan edhe një pajisje teknike që mund të ishte përdorur për kontrollin e dronëve.
Pavarësisht zbulimeve, ende nuk është e qartë se si ishte planifikuar sulmi dhe kush qëndron pas tij. Zyra e Prokurorit Federal e ka cilësuar incidentin si “një sulm serioz ndaj infrastrukturës së transportit dhe logjistikës së Gjermanisë”. Ministri Federal i Brendshëm, Alexander Dobrindt, e përshkroi ngjarjen si një “skenar sulmi hibrid” dhe nuk përjashtoi përfshirjen e forcave të huaja. Burime të sigurisë dyshojnë se shërbimet ruse të inteligjencës mund të kenë qenë të përfshira në planifikimin e sulmit; Moska ka mohuar të gjitha akuzat.

