Një gjykatë në Stamboll ka dënuar me burgim pesë kryebashkiakë të opozitës, të gjithë anëtarë të Partisë Republikane Popullore (CHP), të shpallur fajtorë për vepra të lidhura me korrupsionin. Dënimet, siç raportojnë mediat turke, variojnë nga pesë deri në më shumë se 23 vjet burg. Pesë kryebashkiakët u arrestuan gjatë gjysmës së parë të vitit 2025, pjesë e hetimeve që kanë prekur një numër të madh përfaqësuesish të CHP-së, partia kryesore opozitare kundër presidentit Rexhep Tajip Erdogan.
Kryebashkiaku i Beşiktaşit, Rıza Akpolat, mori dënimin më të rëndë: 23 vjet e tre muaj burg, pasi u shpall fajtor për korrupsion, pastrim parash dhe parregullsi në prokurimin publik. Ai u lirua nga akuza për anëtarësim në një organizatë kriminale. Akpolat ka mohuar akuzat, duke deklaruar para gjykatës se është i pafajshëm dhe se nuk ekzistojnë prova të pakundërshtueshme, ndërsa çështjen e ka përshkruar si të bazuar në deklarata shpifëse.
Në të njëjtin proces, kryebashkiaku i qytetit juglindor të Adıyamanit u shpall i pafajshëm dhe u lirua nga akuzat. Një tjetër kryebashkiak, i zgjedhur në vitin 2024 për të drejtuar një nga zonat periferike më të populluara të Stambollit, u dënua me tetë muaj burg, por me kusht, për “shpërdorim të pushtetit nga pakujdesia”.
Gjithashtu në proces u lirua biznesmeni Aziz Ihsan Aktaş, i cili kishte dhënë dëshmi që implikonin disa politikanë lokalë të opozitës. Ai ishte përballur fillimisht me akuza si drejtues i një organizate të dyshuar kriminale dhe një dënim deri në 280 vjet burg, por u lirua nga të gjitha akuzat.
Kjo çështje përfshihet në një valë hetimesh dhe arrestimesh ndaj zyrtarëve të CHP-së që pasoi fitoren e thellë të opozitës në zgjedhjet lokale të vitit 2024. Dhjetëra kryebashkiakë të zgjedhur janë arrestuar ose shkarkuar nga detyra në qytete të ndryshme të Turqisë. Në qendër të përplasjeve politike dhe gjyqësore që kanë shtuar tensionet radhitet kryebashkiaku i Stambollit, Ekrem İmamoğlu, i cili u arrestua vitin e kaluar nën akuza për korrupsion që ai i ka mohuar; arrestimi i tij shkaktoi protesta të mëdha dhe thelloi përplasjen mes qeverisë dhe opozitës.

