Ushtria amerikane goditi një tjetër anije të dyshuar për trafik droge në Paqësorin lindor, duke vrarë dy persona, njoftoi Komanda Jugore e SHBA-së (SOUTHCOM). Sulmi u krye të dielën ndaj një anijeje që dyshohet se po përdorej në rrugët e trafikimit të drogës; autoritetet amerikane nuk kanë dhënë detaje për identitetin e të vdekurve ose për sasinë e drogës që dyshohet se transportonte anija. Ky veprim shënon aksionin e parë të këtij tipi pas më shumë se dy muajsh.
SULTHCOM publikoi edhe një mesazh që tregon se, nën drejtimin e komandantit të saj, gjeneralit Francis L. Donovan, Forca e Përbashkët e Detyrës për Hemisferën Perëndimore ekzekutoi një sulm kinetik me efekt vdekjeprurës ndaj një anijeje të profilit të ulët. Sulmi bëhet si pjesë e operacionit amerikan “Shtiza Jugore”, të nisur në shtator 2025 kundër karteleve të drogës në rajon. Sipas të dhënave të publikuara më herët lidhur me këtë operacion, janë goditur të paktën 67 anije dhe janë vrarë më shumë se 200 persona.
Administrata e presidentit Donald Trump e ka cilësuar luftën kundër karteleve të drogës si një “konflikt të armatosur” dhe personat e vrarë në këto operacione i ka quajtur “luftëtarë të paligjshëm”. Qeveria amerikane argumenton gjithashtu se ushtria mund të kryejë sulme vdekjeprurëse pa një proces gjyqësor paraprak, duke iu referuar një opinioni sekret të Departamentit të Drejtësisë. Kjo qasje ka nxitur kritika nga disa anëtarë të Kongresit dhe organizatat për të drejtat e njeriut, të cilat kërkojnë që të dyshuarit për trafik droge të arrestohen dhe të përballen me drejtësinë.
Senatori demokrat Tim Kaine ka ngritur pikëpyetje mbi ligjshmërinë e operacioneve, duke pretenduar se disa sulme mund të kenë shkaktuar vdekjen e personave që nuk ishin të përfshirë në trafikun e drogës. Ndërkohë, gjenerali Francis L. Donovan ka mbrojtur veprimet e SOUTHCOM, duke deklaruar se ushtria do të vazhdojë presionin ndaj karteleve dhe do të ndërpresë aktivitetet e tyre në rajon. Misioni i plotë i operacionit “Shtiza Jugore” mbetet i klasifikuar.

