Sekretari amerikan i Thesarit, Scott Bessent, ka paralajmëruar një ofensivë të gjerë ekonomike kundër Iranit, duke deklaruar se SHBA-të po hyjnë në “fazën e fundit të lojës”. Në një artikull në Financial Times, ai tha se po afrohet “një Ditë-D ekonomike” dhe e përshkroi atë si “ofensivën më të madhe financiare” të ndërmarrë ndonjëherë kundër një kundërshtari.
Sipas Bessent, qëllimi i Uashingtonit është të ndërpresë linjat ekonomike që mbështesin regjimin iranian dhe ta lërë Teheranin pa mbështetje financiare nga jashtë. Ai paralajmëroi në mënyrë të drejtpërdrejtë vendet dhe kompanitë që vazhdojnë të bashkëpunojnë me Iranin, duke akuzuar “mundësuesit e Iranit” se blejnë dhe transportojnë naftën iraniane, lehtësojnë transferimet e karburantit përmes rrugëve detare dhe lejojnë përdorimin e bankave të tyre për transaksione që SHBA i konsideron të paligjshme.
Bessent tha se “pasojat” për vazhdimin e këtij bashkëpunimi do të jenë pjesë e masave që administrata Trump mund të shpallë. Deklaratat e tij vijnë disa ditë pas paralajmërimit të Presidentit Donald Trump për një “Ditë-D ekonomike” kundër Iranit, kur Trump kërcënoi se vendet që vazhdojnë të bëjnë biznes me Teheranin do të përballen me “pasoja të jashtëzakonshme ekonomike”.
Administrata amerikane po përpiqet të rrisë presionin ekonomik ndaj Iranit me synimin që ta detyrojë Teheranin të rikthehet në tryezën e negociatave. Bessent gjithashtu dha një paralajmërim të fortë për vetë Iranin: nëse Teherani zgjedh t’u përgjigjet ushtarakisht masave ekonomike të SHBA-së, Presidenti Trump do të reagojë “shpejt dhe me vendosmëri”.
Deklaratat e sekretarit të Thesarit pritet të sqarohen më tej gjatë konferencës së tij për shtyp, ku administrata amerikane mund të zbulojë detaje të reja mbi masat ekonomike kundër Iranit.

