Shqipëria mori medaljet e para në Lojërat Mesdhetare në Taranto të Italisë përmes mundjes, me Ardit Zenelin, Zelimkhan Abakarov dhe Islam Dudaev që dhanë rezultatet pozitive për delegacionin.
Ardit Zeneli siguroi medaljen e bronztë në stilin greko-romak në kategorinë deri në 67 kilogramë. Ai mundi grekun Stavros Ntounias me rezultatin 9-8 në një ndeshje që filloi në mënyrë të vështirë për Zenelin, por që ai arriti ta kthejë në favorin e tij me kalimin e kohës për të fituar vendin në podium.
Zelimkhan Abakarov dhe Islam Dudaev kanë të sigurt medaljen e argjendtë, por kanë mundësi ta përmirësojnë atë në medalje të artë, pasi të dy janë kualifikuar për në finale në stilin e lirë të kategorive përkatëse. Abakarov, në kategorinë deri në 65 kg, hapi garën me fitore 3-0 ndaj egjiptianit Eman, më pas fitoi 6-2 kundër sirianit Dirki dhe siguroi vendin në finale. Në finalen e kësaj kategorie ai do të përballet me mundësin turk Duman, ku do të luftojë për medaljen e artë.
Dudaev garoi në kategorinë deri në 74 kg, gjithashtu në stilin e lirë. Ai fitoi 11-2 ndaj Egzon Xhonit nga Kosova në raundin e parë, më pas mposhti grekun Georgios Ioakeimidis 10-0 në çerekfinale dhe vazhdoi me fitore 3-1 në gjysmëfinale kundër spanjollit Mohammad Mottaghinia. Finalja e Dudaev do të jetë kundër mundësit nga Maqedonia e Veriut, Fati Vejselit, dhe do të përcaktojë nëse ai do të ngjitet në shkallën më të lartë të podiumit.
Të dy, Abakarov dhe Dudaev, do të zhvillojnë finalet e kategorive të tyre pasditen e së hënës, me synimin për të fituar medaljen e artë. Po të hënën nis konkurrimi edhe Albina Drazhi, e cila do të kërkojë kalimin në gjysmëfinale duke luftuar në çerekfinale në stilin e lirë në kategorinë deri në 68 kg.

