Sezoni 2026/27 nisi pozitiv për Juventusin, i cili mori tri pikët e para të kampionatit me një fitore 1-0 në fushën e Frosinones. Golin e vetëm të ndeshjes e shënoi Bremer në minutën e 22, me një gjuajtje me kokë që i dha avantazhin bardhezinjve. Pas golit, Juventus krijoi edhe dy raste të qarta shënimi: Kolo Muani dhe Conceiçao kishin mundësi nga afër që nuk i konkretizuan.
Frosinone reagoi gjatë pjesës së parë dhe rrezikoi në minutën e 40, kur Bracaglia vuri në provë portierin Vicario. Kthimi i topit shkoi te Kvernadze, por gjuajtja e tij përfundoi në rrjetën e jashtme, dhe pjesa e parë u mbyll me rezultatin 1-0 për Juventusin. Në fillim të pjesës së dytë, më i rrezikshmi për skuadrën bardhezi ishte Conceiçao; ai u gjend i vetëm para portës së zbrazët por goditi shumë lart, duke humbur mundësinë për t’i dhënë epërsinë dyfishe skuadrës së tij.
Gjatë pjesës së dytë Frosinone tentoi t’i kundërpërgjigjej, ku një nga më të rrezikshmit ishte Fini; gjuajtja e tij u devijua në goditje këndi nga Vicario. Me kalimin e minutave ritmi i lojës u ul dhe trajneri Spalletti bëri zëvendësime për të sjellë energji të reja në fushë. Zëvendësimi Zhegrova tentoi të dërgonte një krosim në zonë, por asnjë lojtar nuk arriti ta konvertonte atë në gol.
Në minutat e fundit të ndeshjes stafi i Juventusit u shqetësua kur Vicario pësoi një problem në pulpë dhe u detyrua të zëvendësohej nga Perin. Frosinone rrezikoi edhe në çastet finale, duke goditur shtyllën me Calvanin, por nuk arriti të barazojë. Ndeshja u mbyll 1-0 në favor të Juventusit, i cili regjistroi fitoren e parë në sezonin e ri. (Top Channel)

