Ditën e sotme zjarret u rikthyen në zonën e Krastës, në rrethin e Krujës. Në vatra ishin angazhuar forca të shumta zjarrfikëse nga Kruja, Kamza dhe Vora, ndërsa në operacion mori pjesë edhe një helikopter i Forcave Ajrore, për të ndihmuar në shuarjen e flakëve dhe kontrollin e situatës. Nga ndërhyrjet e kryera u njoftua se vatra e zjarrit në Halil, e vendosur buzë rrugës nacionale që lidh me Krujën, është shuar. Megjithatë, aktualisht ishte ende e regjistruar një vatër aktive brenda në gurore, ku po punohet intensisht për shuarjen e saj nga shërbimi zjarrfikës i Krujës së bashku me emergjencat civile.
Gjatë ndërhyrjes së forcave zjarrfikëse në Krastë, dyshohet se ka pasur të shtëna me armë zjarri, ndërhyrje këto që sipas raportimeve kishin për qëllim ndalimin e operacionit kundër zjarrit. Pas këtyre incidentëve është njoftuar policia e Krujës, e cila ka marrë në dorë verifikimin dhe hetimin e rrethanave. Ndërkohë puna për vënien nën kontroll të flakëve ka vijuar me angazhimin e ekipeve zjarrfikëse dhe emergjencave civile, duke iu qasur vatrave aktive për të frenuar përhapjen e tyre.
Banorë të Krujës kanë shtruar dyshime se zjarret mund të jenë të qëllimshme dhe se motive të mundshme lidhen me pastrimin e territorit dhe hapjen e sipërfaqeve të reja për kultivimin e kanabis sativa. Këto pretendime janë bërë publike nga banorë të zonës, por autorësia dhe motivet mbeten objekt verifikimi nga policia. Rrethanat e ngjarjes dhe autorësia e të shtënave po hetohen nga forcat e rendit për të përcaktuar shkaqet e zjarreve dhe përgjegjësit e mundshëm.

