Vizita dhe festa e ditëlindjes së Madonna-s në Korfuz kaluan nga faqet e showbiz-it në debatin politik, pas raportimeve se banorëve të fshatit Kouramades u ishte kërkuar të mbyllnin dritaret gjatë mbërritjes së yllit amerikan. Sipas mediave greke, Madonna kishte arritur me automjete të zeza dhe eskortë, ndërsa dy rrugë u mbyllën për ardhjen e saj dhe në zonë ishte prani policore. Një banor deklaroi për median se njerëzve iu kërkua të mbanin të mbyllura dritaret.
Këto raportime nxiten reagimin e deputetes së SYRIZA-s, Elena Akrita, e cila në Facebook shkroi: “Nëse kjo është e vërtetë, çështja nuk është nëse Madonna e kërkoi. Çështja është nëse banorët iu bindën.” Më pas Akrita përdori një gjuhë më të ashpër, duke theksuar se Greqia “nuk është një plantacion i Jugut ku përkulemi për të mbledhur pambuk, në mënyrë që të mos ia prishim ditëlindjen zonjës”.
Reagimi i deputetes solli kundërpërgjigjen e ministrit të Shëndetësisë, Adonis Georgiadis, i cili e akuzoi Akritën se nuk kupton rëndësinë e vizitës së një prej yjeve më të njohura për turizmin grek. Sipas tij, prania e Madonna-s në Greqi dhe postimet e saj në rrjetet sociale i kanë ofruar vendit “reklamë falas me vlerë miliona euro”. Georgiadis argumentoi se ekspozimi ndërkombëtar ndihmon drejtpërdrejt industrinë turistike dhe mijëra njerëz që punojnë në të, dhe akuzoi Akritën se “gjeti edhe këtu një arsye për t’u ankuar dhe për të parë gjithçka me pesimizëm”.
Përplasja vijoi me replika personale midis dy politikanëve, dhe debatet u zgjeruan duke përfshirë çështje mbi turizmin, privilegjet e personazheve të famshëm dhe kufijtë mes promovimit të vendit dhe të drejtave të banorëve. Madonna festoi 68-vjetorin më 16 gusht në Kouramades, së bashku me partnerin Akeem Morris, fëmijët dhe miqtë, në një lokal tradicional me muzikë greke, ushqime vendase dhe thyerje pjatash. Më pas këngëtarja publikoi foto dhe video nga pushimet dhe festa, duke promovuar Korfuzin te ndjekësit e saj në mbarë botën.
Ndër personazhet e famshëm që zgjodhën Greqinë për verën 2026 përmenden Justin dhe Hailey Bieber, Sofia Vergara, Matthew McConaughey, Nicole Kidman, Katy Perry, Kate Hudson, Goldie Hawn, Kurt Russell, Rita Ora, Michael Jordan, Kevin Hart dhe Ludacris.

