Një i kërkuar i drejtësisë shqiptare, i arrestuar në Londër, ka pranuar të ekstradohet në Shqipëri. Sipas dokumenteve të gjykatës së ekstradimeve “City of Westmister Magistrate Court” të parë nga gazetari i Top Channel Muhamed Veliu, bëhet me dije se Andi Hoxha, 23 vjeç, i arrestuar disa muaj më parë, hoqi dorë nga kundërshtimi i ekstradimit.
Në seancë prokurori britanik, përfaqësues i shtetit shqiptar kërkues, deklaroi se Andi Hoxha është shpallur person në kërkim ndërkombëtar pas një aksidenti të ndodhur më 14/11/2022 në Fushë-Krujë. Në dokumente shpjegohet se gjatë këtij aksidenti u aksidentua për vdekje Lutfi Maroku, i cili ndërroi jetë në spital më 23/11/2022. Aksidenti i atribuohet Andi Hoxhës dhe thuhet se u shkaktua me një automjet tip Mercedes Benz me targë AB 363 AM, në aksin rrugor Thumanë–Fushë-Krujë.
I riu do të mbetet në paraburgim në Londër deri në momentin kur oficerët e Interpol Tiranës do të udhëtojnë drejt Anglisë për ta marrë dhe transferuar në vend. Dokumentet e gjykatës tregojnë gjithashtu se në “City of Westmister Magistrate Court” janë në shqyrtim edhe 10 raste të tjera që lidhen me shtetas shqiptarë të kërkuar për ekstradim nga Shqipëria, Italia dhe Franca për krime të ndryshme.
Dy ditë më parë e njëjta gjykatë shqyrtoi në gjyq themeli kërkesën e Shqipërisë për ekstradimin e Pëllumb Llleshit, i arrestuar në rajonin e Kentit në vitin 2024. Për këtë person, gjykata e Elbasanit kishte dhënë dënim në mungesë me 19 vite burg për vrasjen e Bilbil Hilës.
Materiali është nxjerrë nga dokumentet e gjykatës së ekstradimeve dhe raportimi i Top Channel.

