Të dhënat e trafikut detar global tregojnë se Irani mund të ketë humbur pjesërisht kontrollin mbi një nga korridoret kryesore të Ngushticës së Hormuzit. Kjo vlerësohet nga analiza e kompanisë Kpler, e cila monitoron trafikun detar me satelitë, radarë dhe informacione portuale. Sipas Kpler, gjatë dy javëve të fundit më shumë se 80 për qind e naftës bruto që ka kaluar përmes Hormuzit ka ndjekur rrugën pranë ujërave të Omanit — një korridor i njohur nga Kombet e Bashkuara, por që Irani e konsideron si cenim të sovranitetit të tij mbi ngushticën.
Ky ndryshim është i dukshëm krahasuar me një muaj më parë, kur në atë korridor trafik tregtar kishte thuajse fare. Analistët e Kpler mendojnë se ndryshimi mund të interpretohet si shenjë që Republika Islamike mund ta ketë humbur së paku pjesërisht kontrollin e kësaj pjese të ngushticës. Nga 1 deri më 19 gusht në Hormuz kanë kaluar 236 anije; vetëm 83 prej tyre përdorën korridorin iranian, ndërsa 148 lundruan me transponderët e fikur për të ulur mundësinë që të identifikohen dhe të bëhen objektiv sulmi.
Raporti i portalit amerikan Axios thotë se Shtetet e Bashkuara po menaxhojnë prej disa javësh, në heshtje, korridorin e lundrimit pranë ujërave të Omanit. Çdo natë rreth 15 deri në 20 cisterna kalojnë në dy kolona — një në hyrje dhe një në dalje të ngushticës — nën koordinimin e një task-force amerikane. Sipas SHBA-së, ky menaxhim ka bërë që në qarkullim të rikthehen rreth 10 milionë fuçi naftë në ditë, afërsisht gjysma e nivelit para luftës, por dukshëm më shumë se gjatë muajve të krizës.
Ky zhvillim vjen ndërsa presidenti amerikan Donald Trump insiston se SHBA-ja ka “kontroll të plotë” mbi ngushticën, kurse Teherani vazhdon të pretendojë se korridori i rëndësishëm ujor është nën sovranitetin e tij. (Burimi: Top Channel)

