Blerim Skoro, 55 vjeç, refugjat nga Kosova dhe ish-informator që thotë se punoi për shërbimet amerikane pas 11 Shtatorit, ndodhet i ndaluar në qeli në New Jersey dhe përballet me rrezikun e dëbimit nga SHBA. Skoro pretendon se u rekrutua nga CIA një ditë pas sulmeve të 11 Shtatorit, ndërsa po vuante një dënim shtatëvjeçar për trafik droge në burgun federal FCI Allenwood. Sipas rrëfimit të tij, gjatë afatit të bashkëpunimit dha informacione për bashkëvuajtës, u infiltrua në rrjete të Al-Kaedës dhe ISIS-it dhe mori pjesë në misione në Afganistan, Siri, Irak, Jemen dhe Ballkan. Ai thotë se u infiltrua edhe në kampet e Al-Kaedës në Pakistan gjatë kërkimeve për Osama bin Ladenin dhe se sigurimi i informacionit të tij ndihmoi në bllokimin e dërgesave të armëve — përfshirë raketa “Stinger” — dhe interceptimin e ngarkesave me uranium drejt Kosovës.
Skoro pretendon se pas përfundimit të bashkëpunimit në vitin 2010 iu premtua qëndrimi i përhershëm në SHBA. Ai thotë se në vitin 2010 u plagos gjatë një pritë në Maqedoni dhe, në vend që të merrej nën mbrojtje nga ShBA, iu dha një shumë parash dhe iu kërkua të kthehej në Kosovë. Zhgënjimi e shtyri të largohej drejt Kanadasë dhe më 2015 hyri përsëri në SHBA në mënyrë të paligjshme për t’u ribashkuar me familjen. U arrestua më vonë për shkelje të emigracionit, qëndrroi gjashtë muaj në paraburgim federal dhe u lirua në 2016.
Pas një beteje gjashtëvjeçare në gjykatat e emigracionit, në 2022 Skoro fitoi të drejtën për të qëndruar në SHBA sipas Konventës së OKB-së kundër Torturës, që e mbron nga deportimi në Kosovë, por nuk e mbyll mundësinë e dërgimit në një vend të tretë. Më 3 gusht të këtij viti ai u arrestua nga agjentët e ICE në New Jersey, ndërsa paraqitej për një takim rutinë biometrik për rinovimin e lejes së punës. Baba i tre fëmijëve dhe shofer taksie që punon deri në 70 orë në javë, Skoro ka depozituar në gjykatë kërkesë për lirimin e menjëhershëm dhe pezullimin e procedurave të dëbimit, ndërsa avokatët e tij paraqitën habeas corpus.
Skoro thotë se autoritetet amerikane i kishin premtuar status të ligjshëm dhe i ka kërkuar gjykatës të shqyrtojë këtë pretendim. Avokatja e tij pro bono e përshkroi atë si shembull të kontributit të emigrantëve. Departamenti i Sigurisë Kombëtare nuk ka komentuar rastin; beteja ligjore vazhdon në gjykatën federale, ndërsa Skoro mbetet në paraburgim.

