Tensionet gjeopolitike në Lindjen e Mesme po ndikojnë në çmimet në Shqipëri, nga nafta tek faturat në supermarket, bare e restorante, duke çuar inflacionin në 3.4%, më të lartë se mesatarja e Eurozonës prej 2.9%. Indeksi i harmonizuar i çmimeve të konsumit nga INSTAT tregon rritje në 3.4% në korrik, nga 2.5% një vit më parë, që do të thotë se një shportë mallrash dhe shërbimesh që kushtonte 100 lekë një vit më parë tani, mesatarisht, kushton rreth 103.4 lekë.
Konflikti në Lindjen e Mesme ka goditur tregjet e energjisë dhe transportit; nafta Brent është rikthyer rreth 92 dollarë për fuçi, ndërsa pasiguria rreth furnizimeve përmes Ngushticës së Hormuzit mban tregjet nën presion. Për Shqipërinë, INSTAT shënon se efektet nuk shfaqen vetëm te çmimi i karburantit: transporti u shtrenjtua me 4.6% brenda një viti.
Goditja më e drejtpërdrejtë për familjet vjen nga ushqimet: ushqimet dhe pijet joalkoolike u rritën me 3.2% dhe dhanë kontributin më të madh në inflacion, me 1.09 pikë përqindjeje. Sezoni turistik pasqyrohet te shërbimet, ku restorantet dhe akomodimi u shtrenjtuan me 3.6%, ndërsa aktivitetet e argëtimit, sportit dhe kulturës regjistruan rritjen më të fortë mes kategorive kryesore, me 8.5%.
Banka e Shqipërisë ka paralajmëruar se rritja e çmimeve të naftës në tregjet ndërkombëtare ka qenë një nga faktorët kryesorë të rritjes së inflacionit në vend. Krahasimi me vendet e eurozonës vendos Shqipërinë në grupin e dhjetë vendeve më të shtrenjta: Lituania kryeson me 5.6%, pasuar nga Bullgaria 4.1%, Spanja 3.8%, Kroacia 3.6%, ndërsa Shqipëria rezulton me 3.4%.
E renditur në këtë pozicion, sfida për Shqipërinë mbetet nëse ky presion i çmimeve do të jetë i përkohshëm apo do të shndërrohet në një valë më të madhe shtrenjtimi.

