Ish-kampioni britanik i sprintit dhe fituesi i medaljes së artë në Lojërat e Komonuelthit, Leon Baptiste, është në burg në Marok pas një dënimi për sulm seksual ndaj një të miture. Autoritetet marokene dhe Zyra e Prokurorit Publik konfirmuan se 41-vjeçari u arrestua në Marrakesh në muajin maj, u shpall fajtor dhe po vuan dënimin në burgun Al-Oudaya. Burime të Ministrisë së Drejtësisë së Marokut, të cituara nga BBC, thanë se informacioni që e paraqiste Baptiste si të zhdukur ishte i pasaktë, pasi nuk kishte pasur “zhdukje ose mungesë të pashpjegueshme”.
Baptiste ishte bërë objekt i shqetësimit pas ndërprerjes së komunikimit me kontaktet e tij në Britani, pasi kishte udhëtuar në Marok rreth dy muaj më parë. Në maj ai i kishte thënë disa prej atletëve që stërviste se do të mungonte “për një kohë”, pa dhënë detaje të tjera; më vonë u dërgoi një email të shkurtër atletëve, në të cilin njoftoi dorëheqjen nga detyra dhe e shpjegoi vendimin me probleme shëndetësore të paspecifikuara. Vetëm më pas u bë e ditur se ai ndodhej në burg.
Baptiste punonte si trajner konsulent i sprintit për ekipin kombëtar britanik të atletikës dhe po përgatiste disa prej atletëve më të mirë për Lojërat e ardhshme të Komonuelthit. Largimi i tij i papritur ka lënë pa trajner disa sprinterë të njohur britanikë, përfshirë fituesin e medaljes së bronztë olimpike Charlie Dobson dhe fituesin e medaljes së argjendtë paralimpike Jacques Shaw. Raportohet se trajneri i stafetës Martin Rooney dhe kampioni evropian Adam Gemili kanë marrë përsipër të ndihmojnë atletët që mbetën pa trajnerin e tyre.
Ministria e Drejtësisë marokene tha se Baptiste është në gjendje të mirë shëndetësore. Ai kishte udhëtuar në Marok së bashku me tre ish-atletë të tjerë britanikë, të cilët tashmë janë kthyer në Britani, dhe familja e tij është në dijeni se ai ndodhet në burg. Ministria e Jashtme britanike konfirmoi se është në kontakt me autoritetet marokene dhe po i ofron mbështetje shtetasit britanik të ndaluar. Baptiste ka një karrierë sportive të shquar, përfshirë medaljen e artë në 200 m në Lojërat e Commonwealth-it të vitit 2010 dhe titullin Trajneri Britanik i vitit në Atletikë në 2023.

